Tremujori i dytë i këtij viti ka sjellë një gjallërim të aktivitetit të transporti në vend.
I ndjeshëm ka qenë rritja e transportit të pasagjerëve përmes ajrit, si rrjedhojë e kthimit të vendit në një destinacion të preferuar turistik.
Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2023, kanë udhëtuar me linja ajrore 1.747.887 pasagjerë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 30,7%.
Në transportin ajror operojnë 20 shoqëri ajrore, nga këto 18 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë 2023, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 81.737 avionë.
Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër në tremujorin e dytë 2023 është 386 ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 5,6%. Volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e dytë 2023 zë 0,02% ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara.
Shtohen makinat në qarkullim, kryeson Tirana
Sipas INSTAT, Në tremujorin e dytë 2023, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në Qershor 2023 rezulton 828.306 mjete. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë rreth 19 mijë mjete më shumë, me rritje 2.3%.
Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (80,4%), “Automjetet për transport të përzier” (6,4%) dhe “Motor” (5,5%).
Në tremujorin e dytë 2023, numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës, duke zënë 34,8% të mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend, pasuar nga qarku i Durrësit me 13,4% të mjeteve rrugore gjithsej. Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore janë qarku i Gjirokastrës me 2,2% dhe qarku i Kukësit me 2,3% ndaj mjeteve rrugore gjithsej.
Marka “Mercedez Benz” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore me 18,1%, e ndjekur nga marka “Volkswagen” me 15,5% dhe “Daimler Chrysler” 9,1%.
Gjatë tremujorit të dytë 2023, janë regjistruar për herë të parë 19.794 mjete rrugore dhe deri në fund të Qershorit janë regjistruar për herë të parë 34.253 mjete rrugore, nga të cilat janë 30 lloje mjetesh dhe 434 marka. Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit të regjistruar për herë të parë, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (83,9%) dhe “Motor” zënë (7,4%).
Numri më i lartë i mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë është në qarkun e Tiranës, duke zënë 42,7% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend në tremujorin e dytë 2023.
Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, janë qarku Gjirokastër me 1,2 % dhe Kukës me 2,0% secili ndaj mjeteve rrugore gjithsej.
Marka “Volkswagen” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë me 21,7%, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 15,2%.
Rritet volumi i mallrave të transportuara përmes porteve
Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). Porti i Durrësit është porti kryesor në vend.prej të cilit janë transportuar 93,9% e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.608 mijë ton mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rrritur me 9,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 140 anije, nga këto 107 anije janë të huaja dhe 33 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 11,1%, ku numri anijeve të huaja është rritur me 9,2% krahasuar me tremujorin e dytë 2022. Portet detare ku kryhet transporti pasagjerëve në vend janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe porti i Shëngjinit. Lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e dytë 2023 është kryer nga porti i Durrësit, Vlorës dhe porti i Sarandës.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 280.914 duke shënuar rritje me 26,0% krahasuar me tremujorin e dytë 2022.
Porti i Durrësit është porti kryesor në vend nga i cili kanë udhëtuar 46,0 % e pasagjerëve, porti i Sarandës me 45,7% dhe më pas porti i Vlorës me 8,3%./monitor