Kryeministri Edi Rama ka folur sot dhe për rënien e euros dhe forcimin e lekut.
Ai tha se ka pasur debat me një përfaqësues të sektorit të prodhimit dhe sipas tij, leku i fortë është një histori suksesi.
“Kam pasur një debat para pak ditësh me një prej përfaqësuesve të sektorit të prodhimit.
Ne e dimë shumë mirë që në sektorin e prodhimit dhe të eksporteve ka pasur një stres jo të vogël për shkak të forcimit të lekut dhe rënies së euros në raport me lekun, por kjo… dhe kemi pasur një konsultë të gjerë me disa ndër ekspertët më të mirë ndërkombëtarë.
Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel. Është një histori suksesi, është një histori suksesi.
Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë kur një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është një histori suksesi.
Por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për sektorin fason.
Duhet shkuar drejt ciklit të mbyllur. Ky stres jam i bindur që do nxisë një pjesë prej tyre të vrapojnë drejt ciklit të mbyllur siç kanë bërë disa të tjerë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë ka komentuar dhe shkakrimin e Damian Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS.
Rama i cilësoi spekulime aludimet se Gjiknuri ishte shkarkuar se i kishte dalë emri në dosjen e inceneratorëve.
“Po të nisemi me vendimmarrjet tona nga thashethemet apo nga përfshirjet paraprake të kujto do qoftë në një proces analize, qoftë edhe hetimore, atëherë se di se kush ngelet në këtë vend pa u bërë pis.
Po ju them se raportin tonë me drejtësinë e kam bërë të qartë, dhe në Asamble, lëvizja e sekretariatit s’ka të bëjë aspak me atë që është spekuluar.
Damiani e ka bërë punën mirë. Kam besuar dhe besoj gjithmonë se para të vënë në pozitë të tjerët, për të qenë mbi të tjerët, duhet ta bësh ti vetë.
Ndaj është PS këtu prej 10 vitesh. Jam edukuar me idenë se çdo ditë duhet të kërceja më lartë. Kjo është arsyeja. Të gjitha të tjerat janë spekulime. Raporti me drejtësinë i kësaj qeverie është i qartë.”, tha Rama.