Kryetari i PD-së, Sali Berisha në një deklaratë për mediat thotë se inceneratori i Tiranës është afera më e madhe e vjedhjeve të shtetit.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Veliaj për të cilin thotë se është anëtari kryesor i asaj që ai e quan “klani i plehrave”.

Kryetari i PD-së, Berisha shprehet se sipas tij, përgjegjësi i parë dhe kryesor për djegësin e Tiranës është kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Sali BerishaKjo sepse djegësi i Tiranës apo me të drejtë mund të quhet djegësi i Erion Veliajt, i kontraktuar si koncesion për 128 milionë euro dhe me afat 30-vjeçar, është afera në total prej 680 milionë euro, pra 24 herë më e madhe se djegësi i Elbasanit. Djegësi i Tiranës apo djegësi Erion Veliaj është afera më e rëndë gjer më sot, sepse në këtë aferë, Rama dhe Veliaj u kanë grabitur shqiptarëve 110 milionë euro dhe sot pas gjashtë vitesh nuk ekziston asnjë gjurmë e tij.

Po të kemi parsysh se vetëm në 6 vite janë shpenzuar 110 milionë euro, djegësi i Veliajt do u kushtojë taksapaguesve në 30 vite deri në 720 milionë euro. Djegësi Veliaj, ky përbindësh i korrupsionit qeveritar, pavarësisht se ‘pronarët’ janë në kërkim ndërkombëtar, vazhdon  të përpijë përditë fonde të buxhetit të shtetit deri në 2 milionë euro në muaj, sikur të mos jetë një sipërmarrje krimi por sikur të jetë një sipërmarrje transparente dhe sukses i ligjit. Ky monument i korrupsionit mbrohet nga drejtësia vetëm se pronarët e tij janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi.

Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën se është personalisht Erion Veliaj që kërkoi zyrtarisht zëvendësimin e trajtimit të mbetjeve dhe zgjerimin e landfillit të Sharrës dhe dhënies me koncesion te privati të trajtimit të plehrave me incenerim. Erion Veliaj ka kërkuar me disa shkresa dhënien me koncesion për 30 vite në vend të investimit publik që është përdorur në djegësin e Elbasanit dhe Fierit. Shkëlqim Cani ka refuzuar kërkesën e Veliajt, por edhe Arben Ahmetaj e ka refuzuar tre herë kërkesën e tij të paligjshme, por vetëm herën e katërt, duke përdorur një dokument të paligjshëm të Këshillit të Qarkut të Veliajt, firmos duke shkruar ‘no koment’.

Për djegësin e Tiranës apo djegësin Veliaj, janë përgjegjës para ligjit Edi Rama, Engjëll Agaçi, Koka, Gjiknuri, Bllako. Por sipas ligjit dhe Kushtetutës, hajduti i parë dhe përgjegjësi i parë është Erion Veliaj, pasi kryetarit të bashkisë së Tiranës, asnjë firmë nuk mund t’i impononte heqjen dorë nga praktika e seleksionim-depozitimit të plehrave dhe zëvendësimit me djegësin me koncesion. Erion Veliaj është përgjegjës kryesor për djegësin e Tiranës pasi ka vendosur në kundërshtim me ligjin, vendime të Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut, në një kohë kur këto këshilla nuk ishin mbledhur kurrë dhe për to nuk firmos kurrë kryetari i bashkisë, por kryetarët e këtyre këshillave.