Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilëson pabesi ndaj qytetarëve vendimin e Unionit të Transportit për të reduktuar numrin e mjeteve të shërbimit urban në kryeqytet, sidomos në një periudhë me temperatura të larta. Ndaj ai paralajmëroi se cilado linjë që redukton flotën do të humbasë automatikisht licencën.

 “Kur dikush të vendos një ultimatum në temperaturë 40 gradë, sigurisht që mund t’i përgjigjesh vetëm në të njëjtën mënyrë. Premtimi im është: Kush nuk del sot në punë do të humbasë automatikisht licencën.”

Unioni i transportit thotë se operatorët e këtij shërbimi po përballen me sfida dhe shqetësime financiare, por kryebashkiaku Veliaj thotë se bashkia e Tiranës është e vetmja që kompenson karburantin.

“Çdo faturë tjetër, që është imagjinare, ose që ndodh në të zezë, për ne nuk ka si të justifikohet. Kështu që, kërkesa për operatorët është formalizimi! Tirana është i vetmi që subvencionon transportin publik, që paguan edhe për studentët që udhëtojnë falas, që i ka kompensuar edhe naftën edhe karburantin operatorëve.”

Veliaj njoftoi se së shpejti do të vihet në funksion edhe linja publike e transportit kryeqytetas.