Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbresëlënëse punën për rehabilitimin e 27 pallateve në Shijak, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjatë inspektimeve të punimeve, i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, kryeministri Rama tha se “pallatet kanë dalë në dritë”.

“Shijak – Mbresëlënëse puna për rehabilitimin e 27 pallateve, ku jo vetëm po riparohen dëmet e 26 nëntorit të shkuar shtëpi me shtëpi, shkallë më shkallë, mur më mur, por godinat po rilindin shumë më të sigurta e më të bukura se sa përpara goditjes së madhe”, shkruan Rama.

Ndërsa kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana shkruan ne rrjete sociale se “çdo apartament i pallateve është riparuar, depozitat janë vendosur poshtë duke lehtësuar çështjen e ujit të pijshëm. Tashmë çdo pallat është i rehabilituar, më i sigurtë dhe i sistemuar tërësisht”.

Njëkohësisht, kryebashkiaku bën të ditur se “në lagjen “Lugina” (më e dëmtuara nga tërmeti) po vijojnë punimet me infrastrukturën e brendshme, për të nisur më pas me hapjen e themeleve të pallateve të reja që do të ndërtohen, shpresojmë nga mesi i muajit nëntor.”