Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka filluar punën për riorganizimin e partisë. Gjatë takimit që ka zhvilluar me strukturat në qarkun e Korçës, Basha shprehet se duhet të jenë gati për t’u përballur me qeverinë në nivel lokal dhe qëndror.
Sipas Bashës, kjo është një qeveri e korruptuar dhe këtë e tregon qartë afera e inceneratorëve.
“Rruga e mirëqenies për Shqipërinë dhe shqiptarët do të hapet plotësisht kur të marrë fund përgjithmonë pandëshkueshmëria në nivelet më të larta dhe pastrimi i politikës nga cilido që ka shpërdoruar besimin e qytetarëve për të pasuruar veten dhe klientelën e tij”, shkruan Basha.
Postimi i Lulzim Bashës:
Me strukturat drejtuese të Qarkut të Korçës koordinuam veprimtarinë për riorganizimin dhe vënien në eficencë të çdo dege të Partisë Demokratike, për të qenë gati për përballjen në nivel qendror dhe lokal me këtë qeverisje të korruptuar, për t’u bërë zëri i qytetarëve dhe mjeti në duart e tyre për ndryshimin e vërtetë.
Afera e Inceneratorëve dëshmon sesi metastazat e korrupionit janë përhapur në çdo ind të pushtetit.
Hetimet e SPAK po konfirmojnë drejtësinë e betejës disa vjeçare të Partisë Demokratike, ne mbetemi të angazhuar në luftën tonë kundër korrupsionit dhe mbështesim çdo hap të drejtësisë.
Rruga e mirëqenies për Shqipërinë dhe shqiptarët do të hapet plotësisht kur të marrë fund përgjithmonë pandëshkueshmëria në nivelet më të larta dhe pastrimi i politikës nga cilido që ka shpërdoruar besimin e qytetarëve për të pasuruar veten dhe klientelën e tij.