Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se operacioni i djeshëm që zbuloi parcelën me kanabis në repartin ushtarak të Zall Herrit në Tiranë është bërë në koordinim me policinë ushtarake.

Gjatë prononcimit, i pyetur nga mediat, Balla theksoi se kultivimi në një repart ushtarak është zbuluar pikërisht në koordinatën që vetë policia ushtarake ka dhënë.

Dua t’ju bëj me dije se në rastin e operacionit që ne kemi ndërmarrë kundër kultivimit të lëndëve narkotike, rasti në fjali kemi pasur bashkëpunim edhe me policinë ushtarake. Në atë koordinatë kemi vepruar të dyja edhe policia e shtetit dhe edhe policia ushtarake. Mos bini në grackat që duan të ngrenë të një palë kundër një pale tjetër.
Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi rezultate të mira në këtë megaoperacion ku janë përfshirë 6000 forca të policisë së shtetit edhe policia ushtarake. Puna vazhdon”, tha Balla.

125 bimë kanabis u gjetën dje në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr në Tiranë. Sipas policisë, u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u vunë nën hetim 4 të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier dhe P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.