Familja Bushi në fshatin Bizë të Ishmit prej 11 muajsh jeton në kontejner, të cilin e ka siguruar vetë pasi banesa është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryefamiljari Altin Bushi, deklaron se banesa e tij është dëmtuar rëndë dhe shpallur e pabanueshme duke u cilësuar si banesë për t’u shembur, por problemi i tij qëndron se autoritetet përkatëse ende nuk i japin leje për të shembur banesën aktuale dhe ta rindërtojë.
Një fondacion vullnetar është vendosur në dispozicion për t’ia rindërtuar banesën, por Altin Bushit ende nuk i lejohet shembja e banesës, pasi ka qenë ndër personat e parë të cilët janë ngritur pak muaj më parë në protestë për ndalimin e grumbullimit të mbeturinave në zonën e Manzës.
“Tërmeti i 26 nëntorit më ka shkatërruar banesën. Tri ditë pas tërmetit vetë presidenti Ilir Meta dhe këngëtarja Bebe Rexha kanë ardhur për vizitë duke më dalë mbështetje për rindërtimin e banesës, pra banesën do ma ndërtojnë të tjerë, por institucionet nuk më japin leje për shembje dhe pse vlerësimi është bërë DS5 që do të thotë është për t’u shembur”, shprehet kryefamiljari.
Por ky nuk është i vetmi problem me të cilin po përballet familja e tij, pasi Altin Bushi deklaron se bashkëshortja e tij që është arsimtare, po kërcënohet me vendin e punës.
“Na bëhet edhe presion me vendin e punës së bashkëshortes time e cila është arsimtare, duke na thënë që do e heqin nga puna. Ndërkohë që nga shteti presim vetëm dhënien për një leje e cila nuk mund të na mohohet”, deklaron Altin Bushi.





