Grevistet e Ballshit, në ditën e dhjetë të grevës, bëjnë me dije se jo vetëm nuk do të tërhiqen, por do iu bashkohen edhe fëmijët e tyre. Ato i quajnë presion thirrjet e kryeministrit Edi Rama për të dalë nga greva që të ulen e të diskutojnë.
Për to është e turpshme që të vitin 2020 të diskutohet për bukë, madje shkojnë edhe më tej duke thënë se “më mirë të vdesin në COVID-i se nga uria”.
“Ne më mirë të na zërë korona se të vdesim për bukë. Është turpi më i madh të vdesësh për bukë se të vdesësh nga korona. Reagimi i kryeministrit është absurd se ne s’po kërkojmë diçka që është jashtë detyrës së tij për të zbatuar një vendim gjyqi, që ne jemi pa bukë në shtëpi. Rifillimi i punës është një kusht i negociueshëm, nëse u leverdis e hapin punën. Nuk ka pse të negociojmë për lekët tona që po na vdesin fëmijët pa bukë. Ai po na bën presion neve, për çfarë duhet të negociojmë, kërkojmë bukën e fëmijëve tanë. Ka pasur kohën e mjaftueshme, që nga janari që kemi bërë protestën që na çnderuan si njerëz, të kërkoj robi bukë nuk është dinjitoze për një njeri në shekullin e 21 që jetojmë. Ne nuk kemi ku vemi, jemi pa bukë. Më mirë të vdesim nga korona se për bukë se është turp, ne do na vijnë dhe fëmijët tanë në mbështetje se s’kanë ku të vejnë. Do vijnë te dera e uzinës nuk kanë ku të shkojnë, të mos bëjë teatër me njerëzit e sidomos me gratë”, tha një nga grevistet.
Ato shprehen se e kanë të vështirë të kuptojnë se përse kryeminstri Edi Rama nuk vjen t’i takojë, ndërsa u bëjnë apel edhe grave të parlamentit për një takim, përndryshe nesër do të jetë vonë.
“Pothuajse një muaj në grevë urie burra dhe gra, një heshtje vrastare nga instancat shtetërore, nga parlamenti. Vetëm për një thirrje për maska, Rama e hodhi në parlament dhe gjithçka u vendos, po vallë buka e fëmijëve tanë nuk është emergjente, dhimbja që kam unë, lotët e këtyre nënave nuk janë emergjente. Mos na detyroni të sjellim fëmijët tanë këtu, të shikojnë fëmijët tanë, vdekjen që po bëjnë ne për tani. Mos bëni teatër me këto nëna se është e dhimbshme, se po na qan zemra. Eja të na shikoni tani se më vonë do jetë shumë vonë edhe për ju”, u shpreh grevistja.
Kjo e shtunë shënon ditën e dhjetë të grevës së urisë së grave, e ndërsa më herët për 17 ditë kanë qenë burrat. Ato kërkojnë pagat e prapambetura të cilat i kanë fituar me gjyq. Ndërsa sa i përket rifillimit të punës, kjo për ta mbetet një kusht i negociueshëm.





