Partitë politike shqiptare mund të faktorizojnë votën e elektoratit shqiptar vetëm nëse arrijnë të grupohen duke garuar si dy blloqe, theksojnë njohësit e çështjeve politike.
Këtyre komenteve u kanë paraprirë takimet e intensifikuara ndërmjet drejtuesve të partive shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, e cila së fundmi është shkëputur nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, e cila aktualisht në Parlament është e përfaqësuar me tre deputetë.
Pamje nga takimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut, më 10 janar 2023.
Njohësit e çështjeve politike thonë se bashkimi i partive shqiptare në një kauzë mund të arrihet përmes një figure të fuqishme rajonale në mesin e shqiptarëve.
Nga ky prizëm e shohin dhe vizitën e paralajmëruar joformale të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, më 11 gusht.
Nga kabineti i kryeministrit të Kosovës për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se Kurti është i ftuar i kryetarit të Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, për të promovuar një rrugë me emrin e ri, atë të Adem Demaçit, dhe në Tetovë me ftesë të kryetarit të kësaj komune, Bilall Kasami, për të diskutuar për aksin rrugor Tetovë – Prizren.
“Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, pa u përgjigjur konkretisht se pse kësaj radhe nuk takohet edhe me liderin e BDI-së që është pjesë e pushtetit.
“Në kuadër të Forumit të Prespës, në Strugë, kryeministri Kurti kishte zhvilluar takime me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, ka thënë Kryeziu.
Komuna e Çairit në Shkup dhe Tetova drejtohen nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Visar Ganiu tashmë është rreshtuar në fraksionin e dalë nga BDI-ja, Lëvizja Demokratike parti kjo e re e cila është duke u formuar. Kurse Tetova udhëhiqet nga Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Ballkani i Hapur afron opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut me kryeministrin Kurti
Izet Mexhiti, i cili ka iniciuar formimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje është dhe vizita joformale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të premten (më 11 gusht).
Mexhiti thekson se me kryeministrin Kurti do të diskutohen edhe tema politike si Procesi i Berlinit.
“Do të bisedohet edhe për tema politike ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me Ballkanin e Hapur dhe ata, përkatësisht ne, si edhe zoti Kurti jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe tema për të thelluar bashkëpunimin mes frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë”, thotë Mexhiti.
Rivaliteti Rama-Kurti demonstrohet edhe në Maqedoninë e Veriut
Për njohësit e zhvillimeve politike, ardhja e Kurtit në Shkup shihet si shtytje për pozitën shqiptare nga ana e kryeministrit Kurti për të bashkëvepruar si një front i përbashkët, por njëkohësisht dhe demonstrim i rivalitetit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte një nga promotorët e nismës Ballkani i Hapur.
“Zoti Rama dhe zoti Kurti, rivalitetin e tyre për ndikim apo dominim politik në hapësirën gjuhësore shqiptare e shtrijnë edhe në Maqedoninë e Veriut, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, duke rikujtuar se ishte Rama që ftoi në takim liderët e partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, para se Aleanca për Shqiptarët të bindej të merrte pjesë në qeveri”.
“Ndërkohë e dimë se nga viti 2015 e këndej kemi një bashkëpunim shumë të ngjeshur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes Besa. Ky rivalitet pra (mes Ramës dhe Kurtit) është fakt se është i dukshëm edhe në Maqedoninë e Veriut.
Por, pozitive në tërë këtë rivalitet është se mbase më në fund në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një garë mes dy blloqeve ose koalicioneve të partive politike shqiptare, njëri në pushtet dhe tjetri opozitë, dhe me siguri se do të kemi dhe oferta më përmbajtjesore”, vlerëson Neziri për Radion Evropa e Lirë.
Maqedonia e Veriut ndodhet para një procesi të rëndësishëm që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Në të kundërtën rrezikon që të bllokohet procesi i integrimit të vendit.
Opozita maqedonase thotë se mungesa e votave për të çuar para ndryshimet kushtetuese tregon se pushteti nuk ka legjitimet.
Edhe opozita shqiptare gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme, pasi siç theksojnë Maqedonia e Veriut dhe ardhmja evropiane mbetet ‘peng i strukturave të caktuara të pushtetit që janë të kapur nga korrupsioni’. /REL/