Kreu i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha, ka denoncuar pastrimin e parave në vend që sipas tij realizohen në sektorin  e ndërtimit.

Teksa ka cituar raportet ndërkombëtare, Basha thotë se në këtë sektor janë pastruar mbi 2 miliardë euro.

Gjithashtu Basha shton se Bashkia e Tiranës e ka detyrim të bëjë transparencë të plotë lidhur mbi lejet e ndërtimit në kryeqytet.

“Mbi 2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, sipas raporteve ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij konstaton se Shqipëria është “destinacion kryesor i pastrimit të parave”.

Në 2020, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC) konstatoi se ndërtimet në Shqipëri ishin një mënyrë e preferuar për pastrimin e parave.

Në 2021, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të Ndranghetës në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Përgjimet si pjesë e hetimit zbuluan se njëri prej të dyshuarve ka deklaruar: “Në rrokaqiejtë e rinj, çmimet shkojnë rreth 3800-4000€ për metër katror. A e dini sa është kostoja e vërtetë? 510€.”

Ndonëse SPAK nisi një hetim paraprak në shkurt të vitit 2021, nuk ka akoma asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me këtë hetim.

Miliona metra katrorë leje ndërtimi raportohen se janë dhënë në Tiranë vitet e fundit. Shumica e kompanive nën emrin e të cilave merren lejet e ndërtimit nuk kanë kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Bilanci i kompanive tregonte se ato kanë të ardhura minimale dhe nuk kanë asete apo kredi që mund të përdoren për financimin e projekteve.

Kush dhe si i siguron lejet e ndërtimit në emër të këtyre kompanive modeste?

Paratë e kujt po pastrohen me ndërtimet në Tiranë?

Partia Demokratike përmes këshilltarëve të saj në Tiranë ka kërkuar të dhëna të plota mbi lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës e ka detyrim të bëjë transparencë për lejet e dhëna, ndërsa SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të thellë e të papenguar në mënyrë që Tirana të mos jetë oaz i krimit dhe politikanëve të korruptuar që pastrojnë paratë në sektorin e ndërtimit”, shprehet Lulzim Basha.