Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën i ka konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

Zveçani, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, janë komuna të banuara me shumicë serbe në veri të vendit.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se kjo sasi e dyshimtë është konfiskuar nga Njësia e saj për Ndërhyrje të Shpejtë, gjatë patrullimeve në atë zonë.

Më 11 gusht, Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona në Zveçan, të cilët kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë, derisa kjo e fundit ka thënë të ketë qenë duke e luftuar kontrabandën.

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë atë ditë se i ka konfiskuar tri makina dhe një kamion, dhe se përveç kontrabandës, ka gjetur edhe lëndë narkotike.

Javën e kaluar Policia e ka gjetur në Mitrovicë të Veriut edhe një laborator droge, në të cilin ka pasur pajisje për mihje të kriptovalutave.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta sidomos në maj dhe qershor të këtij viti.

Serbët lokalë e kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.

Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.

Pas shumë thirrjeve të faktorit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian për një plan shtensionimi që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja për komunat veriore.