Një zyrtar i lartë i NATO-s ka kërkuar falje dhe ka sqaruar komentet e tij një ditë pasi tha publikisht se Ukraina mund t’i dorëzojë territorin Rusisë në këmbim të anëtarësimit në NATO dhe përfundimit të luftës.
Stian Jenssen, shefi i shtabit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i tha një gazete norvegjeze se ai nuk duhej të kishte folur aq thjeshtësisht sa foli, pasi komentet e tij fillestare shkaktuan një reagim të zemëruar nga Kievi.
Në një panel në Norvegji të martën, Jenssen kishte thënë se ndërsa çdo marrëveshje paqeje e arritur do të duhej të ishte e pranueshme për Ukrainën, anëtarët e aleancës po diskutonin se si mund t’i jepej fund luftës 18-mujore.
“Unë mendoj se një zgjidhje mund të jetë që Ukraina të heqë dorë nga territori dhe të marrë anëtarësimin në NATO në këmbim,” i tha Jenssen auditorit të tij, duke vënë në dukje se diskutimet rreth statusit të pasluftës të Ukrainës po vazhdonin në qarqet diplomatike.
Por nga ana tjetër Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e veta për të hyrë në NATO.
Kështu u shpreh ministri i Jashtëm në Kiev, Dmitro Kuleba, i cili theksoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg ka një pozicion të qartë lidhur me temën. Në një interviste televizive ai komentoi deklaratat e bëra pak ditë më parë nga shefi i kabinetit të Stoltenberg, Stian Jenssen.
Jenssen bëri më vonë një hap prapa duke kërkuar falje për deklaratën, dhe i cilësoi si të gabuara fjalët e tij.
“Presidenti ka komunikuar vazhdimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke ruajtur një raport shumë të ngushtë me të. Ju siguroj se pozicioni i sekretarit të përgjithshëm është absolutisht i qartë dhe i njëjtë me Ukrainën. Nuk mund të ketë shkëmbime në territoret ukrainase.”
Ukraina vazhdimisht ka bërë thirrje për rivendosjen e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht të para vitit 2014 dhe është përfshirë në një kundërofensivë në një përpjekje për të rimarrë pjesë të mëdha të territorit të saj të kapur nga Rusia.