Një burrë u arrestua në Paris, pasi u hodh nga Kulla Eiffel me një parashutë, tha policia dhe operatori i monumentit.

Burri, një alpinist me përvojë, hyri në perimetrin e kullës pak pas orës 5:00 të mëngjesit, shumë përpara hapjes së saj zyrtare, shkruajnë mediat e huaja.

Ai u zbulua shpejt nga rojet, sipas operatorit të faqes Sete, por megjithatë arriti të ngjitej në majë para se dikush ta ndalonte, duke mbajtur parashutën në një çantë shpine. Dhe pasi iu afrua majës së strukturës 330 metra të lartë, ai u hodh. Burri ra me parashutë në një stadium aty pranë, ku u arrestua për rrezikim të jetës së të tjerëve, tha policia.

Ndërkohë, në Paris, dy turistë amerikanë të dehur arritën të kalonin natën fshehurazi në Kullën Eiffel, raportojnë mediat e huaja duke cituar burime në policinë dhe drejtësinë franceze. Kompania “Sete”, e cila menaxhon monumentin e famshëm parizian, njoftoi se rojet gjetën dy turistë pas një nate të kaluar nën një qiell të pastër.

Ata ndodheshin mes katit të dytë dhe të tretë të kullës, në pjesën ku nuk lejohet hyrja e vizitorëve. Kompania “Sete” u shpreh se turistitët nuk paraqisnin kërcënim të dukshëm. Policia tha se turistët amerikanë kanë paguar një biletë për një xhiro në Kullën Eiffel të dielën rreth orës 22:40 dhe kur janë kthyer nga maja kanë kapërcyer gardhin dhe kanë kaluar në një zonë ku nuk lejohet të qëndrojnë vizitorët.