Zjarret në Havai kanë shkatërruar çdo gjë, 114 persona kanë humbur jetën, ndërsa pritet që numri i viktimave të rritet pasi shumë rezultojnë të zhdukur. Banorët e mbijetuar në ishullin Maiu kanë humbur shtëpitë dhe kanë parë vendin ku jetojnë të shkrumbuar.

Por në mes të një fatkeqësi të tillë, disa njerëz kanë qenë me fat. Fotoja e një shtëpie që u mbijetoi zjarreve në Maui është bërë virale.

Një shtëpi me çati të kuqe në Lahaina i ka rezistuar fuqisë së madhe të zjarreve, ndërsa të gjitha shtëpitë e tjera janë shkrumbuar. Pronari i shtëpisë tha se ende nuk e besonte se si shtëpia e tyre prej druri dhe që është të paktën 100 vjeçare nuk është djegur.

Pronarët e shtëpisë ishin në një udhëtim në Massachusetts kur dëgjuan lajmin për zjarrin.

Millikin dhe gruaja e tij mësuan se e gjithë lagjja ishte përfshirë nga flakët. Por të nesërmen në mëngjes, pamjet ajrore treguan se shtëpia e tyre nuk ishte prekur nga zjarret.

“Ne filluam të qanim,” tha ai.

Millikin dhe gruaja e tij thanë se nuk ishin të sigurt se çfarë e shpëtoi shtëpinë e tyre. Dy vite më parë, çifti bleu pronën 100-vjeçare. Ai dhe gruaja e tij thanë se shtëpia ishte në gjendje të keqe, kështu që  kërkuan ta restauronin atë.

Mund të kenë qenë këto rinovime që e shpëtuan shtëpinë, thanë dyshja për mediat amerikane. Ata ndërtuan çatinë e shtëpisë duke përdorur një metal të rëndë, dhe e rrethuan shtëpinë me gurë lumi.

“Është një shtëpi 100% prej druri, kështu që nuk është se kemi bërë diçka që të jetë rezistente ndaj zjarrit apo ndonjë gjëje tjetër,” tha Dora Atwater Millikin për Los Angeles Times.