Çështja e Fredi Belerit, i cili qëndron në paraburgim në burgjet e Tiranës, duket se ka hyrë në ngërç, ndërsa pasojat diplomatike tashmë janë evidente në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Kërkesa e fundit për lirimin me kusht të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës u shqyrtua të hënën e kaluar nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës por u rrëzua, shkruan media greke.

Ndërsa të gjitha kërkesat e avokatëve të tij për të marrë qoftë edhe një leje nga burgu për betimin e tij në detyrë janë refuzuar.

Afatet

Fredi Beleri qëndron në paraburgim që prej 12 majit me akuzën e tentativës për blerje votash dhe, sipas ligjit zgjedhor shqiptar, nëse një kryetar bashkie nuk betohet brenda tre muajve, ai shpallet i shkarkuar dhe zgjedhjet përsëriten.

Sipas burimeve ligjore, megjithatë, ka dallime në mendime se kur skadon saktësisht afati tre mujor, duke qenë se nuk ka asnjë precedent për zbatimin e kësaj dispozite legjislative.

Disa burime ligjore pohojnë se tremujori është llogaritur në bazë të kohës kur është mbledhur këshilli i qytetit të Himarës, ndaj afati skadon në mes të shtatorit. Megjithatë, sipas autoriteteve zyrtare të Shqipërisë, afati tre mujor ka skaduar që prej datës 14 gushtit.

Të gjitha mundësitë janë të hapura

Sido që të jetë, tashmë është evident rreziku që Beleri të humbasë detyrën, ndërkohë që nuk dihet ende nëse do të mund të kandidojë sërish kur dhe nëse do të shpallen zgjedhje të përsëritura.

  • Skenarët më pozitivë për momentin është, nëse Tirana vendos t’i japë fund kësaj krize, që Belerit t’i jepet një leje administrative, qoftë edhe disa orëshe, për të bërë betimin.
  • Skenari i dytë është që qeveria shqiptare të shpallë zgjedhje në Himarë me Belerin në paraburgim pa qenë i dënuar. Në këtë rast, ai do të ruajë dosjen e pastër kriminale dhe do të mundet, qoftë edhe nga burgu, të jetë sërish kandidat.
  • Skenari i tretë është që procesi i Belerit të vazhdojë menjëherë, para thirrjes për përsëritjen e zgjedhjeve. Nëse shpallet i pafajshëm do të mund të kandidojë sërish për kryetar bashkie, ndërsa nëse dënohet nuk do të jetë kandidat.