Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij është ndalur kryesisht tek suksesi i Shqipërisë në turizëm.

Sipas kreut të qeverisë nga ky sezon i suksesshëm duhen nxjerrë mësimet e duhura. Prandaj thekson se 5 vitet përpara do të jenë sprovë e madhe për Shqipërinë turistike.

Ai paralajmëron se vitin tjetër vendi do të përballet me kërkesa më të larta, prandaj duhet punuar fort që “nami i mirë” që kemi marrë sot të mos na kthehet në “boomerang” duke pasur parasysh edhe konkurrencën e fortë në Mesdhe.

“Duhen nxjerrë mësimet e këtij sezoni, që ky vend të mos bëhet viktima e suksesit të këtij viti. 5 vitet që kemi përpara do të jenë një sprovë e vërtetë zjarri për Shqipërinë turistike. Qysh vitin tjetër do duhet të përballemi me një kërkesë shumë më të lartë se e sivjetshmja edhe në sasi, por dhe në cilësi. Nëse në këtë fazë të re nuk do të jemi në lartësinë e pritshmërisë së rritur të botës ndaj nesh, atëherë ky nam i mirë që kemi marrë sot do të na kthehet në “boomerang” dhe do të na hajë të gjallë më shpejt se vonë konkurrenca e pamëshirshme e këtij pellgu të Mesdheut ku ne sa kemi futur këmbët në Superligë, ndërkohë që të tjerët rreth e rrotull kanë shumë e shumë vite që luajnë për kupën”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, lajmi i bukur i këtij viti është fakti se Shqipëria është kthyer në destinacion europian dhe i është zbardhur faqja.

“Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është numri marramendës i turistëve, por afirmimi ndërkombëtar i Shqipërisë i kthyer në destinacion europian. Këtij vendi i është zbardhur njëherë e mirë faqja e nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, u shpreh Rama