SHBA ka njoftuar se do të furnizojë Ukrainën me predha tankesh me uranium të “varfëruar”, si pjesë e ndihmës ushtarake dhe humanitare prej më shumë se 1 miliardë Dollarësh. Nga ana tjetër, Rusia dënoi masën për të pajisur Ukrainën me predhat e tankeve amerikane Abrams.
Vendimi erdhi pasi Ukraina akuzoi Rusinë për vrasjen e 17 personave në një sulm me raketa në një rrugë të banuar. Gjithashtu, gjatë natës sulme të dyshuara me dronë ukrainas u raportuan në qytetin rus Rostov-on-Don dhe afër Moskës.
Njoftimi i një pakete të re sigurie për Ukrainën erdhi gjatë vizitës së diplomatit të lartë amerikan, Antony Blinken në Kiev. Tanket M1 Abramas të përbëra nga uraniumi “i varfëruar” (i zhveshur nga pjesë me madhe, por jo e gjitha e lëndës së tij radioaktive), do të dorëzohen përgjatë këtij viti në Ukrainë.
Sjellim në vëmendje se uraniumi i “varfëruar” mund të përdoret për të përforcuar blindimin e tankeve. Mund të vendoset gjithashtu në majat e plumbave, predhave të tankeve, për të depërtuar në armaturën e tankeve.
Komiteti Shkencor i OKB-së për Efektet e Rrezatimit Atomik bëri me dije se nuk shkaktohet helmim nga ekspozimi ndaj uraniumit të “varfëruar”, por kjo është hedhur poshtë nga një tjetër organ i OKB-së. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, thotë uraniumi “i varfëruar” mund të ketë rrezik të rrezatimit për individët të caktuar.