Në gusht, Moldavia i përzuri 35 diplomatë rusë dhe anëtarë të Ambasadës, duke u thirrur mbi frikën se Moska po bën përpjekje për ta “destabilizuar” vendin, pasi hulumtimet e mediave gjetën një numër “të tepërt” të antenave në kulmin ndërtesës së ambasadës.

Por, diplomatët e lidhur me inteligjencën ruse janë në mesin e stafit të zvogëluar që ka mbetur në Ambasadën e Rusisë në Moldavi, pas përjashtimeve masive, ka gjetur një hulumtim i ri i Shërbimit moldavian të Radios Evropa e Lirë.

Së paku dy nga këta diplomatë mbajnë lidhje me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), agjencisë së fuqishme ruse të inteligjencës së brendshme, ndërsa dy të tjerë ndërlidhen me adresat e drejtorisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë në Moskë. E njohur si GRU, kjo organizatë është përfshirë në helmime dhe sabotime nëpër Evropë, sipas të dhënave të regjistrave qeveritarë, të cilat i ka rishikuar REL-i.

Këto regjistra vijnë nga një varg bazash i të të dhënave zyrtare të publikuara online falë tregut rus për publikimin e të dhënave, i cili ka ndihmuar në demaskimin e të dyshuarve në një sërë operacionesh të inteligjencës ruse në vitet e fundit. Ato përfshijnë automjete, punësime, pasaporta dhe kartela kreditore ruse që datojnë para një dekade.

Diplomatët rusë në Ambasadën në Kishinjev të lidhur me FSB-në përfshijnë dy sekretarët e parë – zyrtarë të lartë rusë në rank diplomatik – ndërsa atasheu ushtarak dhe ndihmësi i tij janë regjistruar në adresa të përdorura nga GRU-ja, sipas regjistrave që rrodhën.

Gjetjet e hulumtimit të REL-it tregojnë sesi Rusia po vazhdon të emërojë në ambasadat e veta evropiane personel me të kaluar të inteligjencës, me gjithë përpjekjet e shteteve të BE-së për ta zvogëluar numrin e spiunëve rusë që punojnë nën mburojën diplomatike, pas pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë nga presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt 2022.

Një hulumtim i REL-it në mars gjeti se, së paku tre diplomatë rusë, të cilët ishin përjashtuar apo ishin futur në listën e zezë nga shtetet anëtare të BE-së, disa prej të cilëve përmendën spiunazhin nga të dërguarit e pezulluar, u rishfaqën si diplomatë rusë të akredituar në Serbi.

E pyetur për gjetjet e REL-it, Ministria e Jashtme e Moldavisë tha më 5 shtator se Qeveria ka ndërmarrë “disa hapa të fuqishëm dhe nevojshëm për t’i luftuar veprimet destabilizuese të Federatës Ruse kundër vendit tonë”, përfshirë duke e kufizuar praninë diplomatike të Moskës si përgjigje ndaj “veprimeve jomiqësore…përfshirë në kontekst të dyshimeve në lidhje me veprimet e mundshme të spiunimit”.

Ambasada e Rusisë në Kishinjev nuk i është përgjigjur pyetjeve rreth gjetjeve të hulumtimit të REL-it deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi.

Që nga pavarësimi i Moldavisë nga Bashkimi Sovjetik më 1991, Moska ka vazhduar të ushtojë ndikim të madh në vendin e vogël me një popullsi prej 2.6 milionë, posaçërisht duke e shfrytëzuar varësinë tradicionale të Moldavisë në energjinë ruse. Që nga pushtimi i Ukrainës më 2022, Moldavia ka bërë lëvizje për ta dobësuar varësinë në gazin rus dhe e ka dënuar vazhdimisht agresionin e Kremlinit, duke i pranuar më shumë se 100 mijë refugjatë ukrainas.

Moska i ka ende edhe 1.000 trupa të vendosura në rajonin e shkëputur nga Moldavia, Transnjestër, gjoja si paqeruajtës pasi separatistët e mbështetur nga Kishinjevi dhe Rusia bënë një luftë të shkurtër por të përgjakshme në vitin 1992, që u shndërrua në një konflikt të ngrirë pas ndërhyrjes së Rusisë në anën e kryengritësve.

Adresat e FSB-së dhe strehimi i GRU-së

Listat diplomatike të siguruara nga Ministria e Jashtme e Moldavisë tregojnë se vetëm 10 diplomatë të akredituar kanë mbetur në Ambasadën e Rusisë në Kishinjev, pas përjashtimeve të gushtit.

Në mesin e tyre janë dy sekretarë, Noris Suchilin dhe Konstantin Zyablikov, të dy kanë adresa të kaluara që lidhen me FSB-në në Moskë, sipas të dhënave që rrodhën nga regjistrat e Qeverisë ruse, të cilat i ka parë REL-i.

Sipas të dhënave të veturës nga viti 2019, Suchilin kishte adresën “Dobrolyubova Proyezd 3a” në verilindje të Moskës. Ajo ndërtesë në të kaluarën ishte adresë e regjistruar e njësisë ushtarake të FSHS-së, numër 93544 dhe tani si një qendër stërvitore e FSB-së.

Regjistra të tjera të Qeverisë nga vitet 2010 deri më 2015 tregojnë se adresa e regjistruar e Zybalikovit në Moskë ishte “Bolshaya Lybyanka 2”, ish-zyrat e ish-shërbimit famëkeq sovjetik KGB, që tani shërbejnë si zyrat e FSB-së. Vendi i punës i Zybalikovit në shumë regjistra që rrodhën është njësia numër 14057, drejtoria e kundërinteligjencës ushtarake të FSB-së në Rrethinën Ushtarake të Moskës.

Regjistrimi i punonjësve të FSB-së në objektet e agjencisë është praktikë e zakonshme në Rusi. Zyablikovi ishte në mesin e qindra individëve që drejtoria e inteligjencës ushtarake e Ukrainës tregoi publikisht në mars 2022 se ishin punonjës të FSB-së të regjistruar në zyrat e agjencisë në Moskë dhe merrnin pjesë në “aktivitete kriminale” në Evropë në emër të Rusisë.

Atasheu dhe ndihmësi i tij

Ndërkohë, regjistrat qeveritare që rrodhën zbuluan, po ashtu, lidhjet e mundshme të GRU-së me atasheun e ushtrisë ruse dhe ndihmësin e tij në Ambasadën e Kishinjevit. Regjistrat e veturave për atasheun Andrei Lobov, i cili ishte akredituar në Ambasadë më 2011, e tregojnë adresën e tij si “Narodnogo Opolcheniya 48” në veriperëndim të Moskës.

Në një kontratë me një kompani që ofronte shërbime për ndërtesën ku Lobov ishte i regjistruar, thuhej se ndërtesa ishte për strehimin e ushtrisë ruse, dhe ndërtesa e njëjtë ishte shtëpi e një kompanie mirëmbajtëse e lidhur me njësinë ushtarake numër 22177.

Shumë burime, përfshirë regjistrin e një gjykate ruse të cilin e siguroi REL-i, e kanë identifikuar këtë njësi si Akademia Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, e cila është përgjegjëse për stërvitjen e operativëve të inteligjencës së ushtrisë ruse.

Regjistrat e veturës për një oficer të dyshuar të GRU-së, të dëbuar nga Holanda më 2018 pasi kishte vepruar atje nën mburojën diplomatike, tregojnë lidhjet e tij me njësinë numër 22177.

Atashetë ushtarakë rusë kanë rënë në grackën e skandaleve të spiunazhit në shumë vende evropiane në vitet e fundit, përfshirë në Bullgari dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Dossier Center raportoi se, bazuar në një direktivë të vitit 2011, GRU-ja i maskoi të dhënat personale të fëmijëve të spiunëve rusë që jetonin në ndërtesën në rrugën “Marshal Biryuzov”, duke ua kthyer shumë mbrapa datën e lindjes. Si pasojë, disa prej fëmijëve ishin regjistruar si të lindur 100 vjet më parë.

REL-i i ka rishikuar regjistrat e fondit të pensionit shtetëror rus për këtë ndërtesë dhe konfirmoi se shumë banorë në të ishin regjistruar si të lindur para më shumë se një shekulli.

Të dhënat që rrodhën rreth regjistrit të veturave treguan se adresa e kaluar e Dmitri Kelov, ndihmësit të Lobovit në Ambasadën e Kishinjevit, ishte “Marshal Biryuzov 4” në veriperëndim të Moskës. Sipas Dossier Center, një grup hulumtues i financuar nga manjati rus dhe armiku i Kremlinit Mikhail Khodorkovsky, ajo ndërtesë ishte përdorur për të strehuar punonjës të GRU-së, përfshirë Anatoly Chepingan, agjentin e akuzuar për helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe bijën e tij më 2018 në Britani të Madhe.

Në nëntor 2011, Kelovi iu bashkua delegacionit rus në Komisionin e Përbashkët Kontrollues, një organ trepalësh Moldavi-Transnjestër-Rusi, i ngarkuar me detyrë për ta ruajtur paqen në rajonin e shkëputur.

Në fotografitë e publikuara nga uebsajti i lajmeve i Transnjestërit, Novosti Pridnestrovia, Kelov shihet pranë Dmitry Zelenkov, shefit të grupit operacional të trupave ruse të vendosura në anën e majtë të lumit Dniester.

Diplomatë të tjerë rusë ende në Moldavi kanë lidhje me ushtrinë ruse, përfshirë përfaqësuesin komercial të Ambasadës, Vladislav Darvai, i cili u lind në Tiraspol, kryeqytetin e rajonit Transnjestër. Regjistrat qeveritarë të rrodhën nga viti 2011 deri më 2012 tregojnë se adresa e regjistruar e Darvait ishte në një konvikt në rrugën “Sadovnicheskaya 53”, i cili është përdorur nga entitete të shumta të kontrolluara nga ushtria ruse dhe është, po ashtu, adresë e regjistruar e agjencisë shtetërore ruse të mbrojtjes dhe prokurimit, Garnizon.

Njëri nga diplomatët e cituar në hulumtimin e korrikut nga portali rus i lajmeve me bazë në Letoni, The Insider dhe në Jurnal TV në Moldavi, për antenat në kulmet e Ambasadës ruse, ishte Vladimir Gorokhov, një atashe i cili ishte akredituar nga Ministri e Jashtme e Moldavisë në korrik 2021. Sipas hulumtimit, Gorokhov shihej shumë shpesh në kulmin e Ambasadës.

Gorokhov nuk ishte në mesin e dhjetëra diplomatëve dhe anëtarëve të Ambasadës që u larguan nga Moldavia në gusht, pasi Kishinjevi e urdhëroi Ambasadën ta kufizojë praninë diplomatike në vend. Ai ende e mban postin në kryeqytetin moldavian, sipas listës së fundit diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Moldavisë.

Pasi u thirr nga Ministria e Jashtme e Moldavisë pas hulumtimit të korrikut, ambasadori rus në Moldavi, Oleg Vasnetsov, i cili mbeti në pozitë, argumentoi se antenat ishin instaluar gjatë ndërtimit të Ambasadës në fund të viteve ’90, kur rrjeti telefonik dhe interneti ishte tejet i dobët në Moldavi.

“I ashtuquajturi skandali i spiunazhit është thjesht një arsyetim për ta zbatuar një vendim të marrë kohë më parë, për kufizimin e stafit diplomatik”, tha Vasnetsov në atë kohë. REL