Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se shpreson që Bashkimi Evropian do të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë – Serbi.
Osmani ka thënë nga selia e NATO-s në Bruksel se do t’i bëjë thirrje aleatëve që të sigurojnë qasje të balancuar.
“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur se kemi parë këtë balancë, dua t’i bëjë thirrje gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë, që të sigurojnë këtë lloj balance. Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon”, tha Osmani.