Fenomenet ekstreme të motit që po shikojmë këto ditë të para të Shtatorit konfirmojnë edhe njëherë se ngrohja globale po intesifikohet.
Paralajmërimi vjen nga ekspertët e klimës, të cilët duke marrë shkas nga studimi i bërë së fundmi nga agjencia e BE-së “Copernicus”, që arrinte në përfundimin se Gushti ishte muaji më i nxehtë në histori, thonë se valët e të nxehtit pritet të jetë gjithnjë e më përvëluese nga viti në vit.
“Vapa e madhe që pamë gjatë valëve të të nxehtit të këtij viti, e po ashtu edhe reshjet e dendura të shkaktuara nga stuhitë që pasuan vapën, tashmë janë të pashmangshme. Se çfarë mund të presim vitin e ardhshëm, vështirë të parashikohet, por e qartë është se fenomenet ekstreme do të shpeshtohen.”
Për shkencëtarët e klimës, njerëzimi ka ende në dorë të frenojë, këto ndryshime të motit që po sjellin pasoja katastrofike me shumë viktima. Ata bëjnë thirrje që të ndalet sa nuk është vonë, përdorimi i karburanteve fosile që shkaktojnë efektin serë.
Agjencia “Copernicus” e Bashkimit Europian për ndryshimet klimatike tha se vera e këtij viti ishte më e nxehta në histori, çka bëri që temperatura mesatare globale u rritën me 0.66 gradë, duke shkuar në 16.8 gradë Celsius./tvklan