Partia Demokratike zyrtare  nuk do të nxjerrë kandidat në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në Kukës më 24 shtator.

Lajmi është bërë i ditur nga dega e PD në Kukës përmes një postimi në rrjete sociale.

Në njoftim thuhet se PD  nuk do të nxjerrë kandidat pasi do të fokusohen te ringrijta e partisë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE DEGA KUKËS

Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit.

Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve.