Ka shkuar në 30 numri i personave të pyetur në lidhje me vrasjen që ndodhi mbrëmë në Vlorë, ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Leartiad Lekaj (Kekaj). Ndër 30 personat janë familjarë, shok të viktimës të pyetur për konfliktet që ai ka pasur apo ngjarje të mëparshme të cilët kanë deklaruar se në dijeninë e tyre veç ngjarjes së vitit 2000 nuk kanë ditur më konflikte apo ngjarje që viktima të ketë patur lidhje. Ndërsa rreth 10 persona që janë shoqëruar në komisariat kanë qenë kryesisht dëshmitar okularë të cilët kanë treguar ngjarjen e plotë.

Sipas tyre, makina tip “Audi A6” me targa italiane, me xhama të zinj kishte në brendësi të saj dy persona, shoferin dhe qitësin. Fillimisht në drejtim të viktimës është goditur kur ai ka qenë në lëvizje me motor dhe më pas ai ka lënë motorin duke ecur për 100 metra në këmbë. Makina e ka goditur me breshëri kallashnikovi disa herë, edhe pse ai po largohej. Në fund qitësi ka dalë jashtë mjetit “Audi A6” dhe është siguruar që e ka ekzekutuar.

Mbi 30 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes të cilat janë kryesisht të armës së zjarrit kallashnikov. 6 prej plumbave e kanë kapur 41-vjeçarin në trup, këmbë dhe kokë.

Viktima rezulton i dënuar më parë. Rreth viteve 2000 ka marr peng një kambist teksa për t’i marrë shumën e lekëve në bashkëpunim me një tjetër shtetas e ka vrarë. Disa vite ka qëndruar i identifikuar si autor i krimit në arrati dhe më pas në 2005-n për të është dhënë vendimi i formës së prerë për ta dënuar, ku ka bërë edhe burg pas kësaj ngjarjeje. Pas daljes nga burgu Kekaj punonte kryesisht me mjete lundruese ku ne sezonin e verës bënte transport turistësh drejt Sazanit apo Karaburunit, ishte i martuar dhe me dy fëmijë.