Sot viti i ri shkollor, dhe një mesazh urimi ka ardhur nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i shtetit iu ka uruar suksese nxënësve dhe mësuesve, po ashtu edhe prindërve për këtë vit të ri shkollor.

“Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë!
Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes.”, thuhet në mesazhin e tij.

 Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë nxënës. Gjatë këtij viti shkollor kanë përfituar tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të, por edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta, në arsimin e mesëm. Ata janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj.

Risia këtë vit është se të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të tretë, tekstet do të jenë falas me vetëm një përdorim, që do të thotë se nxënësit nuk e kanë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet.