Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama kërkon rishikim e një sërë ligjesh për ndërtimin, pasi kanë shtuar barrën tatimore te sektori.
Ndër problematikat kryesore të analizuara nga Shoqata e Ndërtuesve që shtojnë barrën tatimore si te individët dhe ndërtuesit është hyrja më fuqi me 28 Korrik 2023 e vendimit për rritjen e çmimeve fiskale.
Përveçse efekteve të rritjes së taksës së pasurisë vendimi për rritjen e çmimeve të referencës, sipas shoqatës së Ndërtuesve do të rrisin edhe detyrimin e tatimit mbi të ardhurat për rastet e transaksioneve të shitblerjes, edhe te ata individë që kanë kryer rivlerësimin e shtëpive.
“Në kushtet ku VKM-ja nr. 457 ka hyrë në fuqi me publikimin në Fletore Zyrtare nr. 112 në datë 28.07.2023, për zonat ku është rritur çmimi i referencës, ndryshimi do të jap një efekt të menjëhershëm në financat e individëve dhe subjekteve juridik, pronar të pasurive të paluajtshme.
Por njëkohësisht, çmimet e referencës të parashikuara në këtë VKM, gjejnë përdorim për përcaktimin e çmimit të referencës për efekte të aplikimit të taksës për kalimin e pronësisë të parashikuar në Ligjin “Për të ardhurat”, duke dhënë kështu një impakt të menjëhershëm mbi individët që do të kryejnë transaksione me pasuri të paluajtshme, përfshirë edhe ata që kanë kryer rishtazi rivlerësimin sipas Ligjit nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, citohet në letër.
Shoqata e Ndërtuesve thekson se ndryshmi i çmimeve të referencës sipas këtij Vendimi, jep një impakt të menjëhershëm edhe mbi aktivitetin e ndërtimit, duke qenë se këto çmime shërbejnë si faktor kryesor për përcaktimin e vlerës së taksës në infrastrukturë dhe në vlera monetare zëvendësuese e taksës 3% të kontributit në strehimin social (sipas praktikës të adaptuar nga Bashkia Tiranë me VKB nr. Nr.105, datë 25.10.2019) dhe për pasojë edhe mbi Tatim Fitimin.
Shoqata e Ndërtuesve propozon që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.
Një shqetësim serioz për sektorin e ndërtimit përben edhe kontributi i sektorit privat (i kufizuar vetëm në sektorin e ndërtimit) në strehimin social në masën prej 3% të sipërfaqeve funksionale ndërtimore në pronësi të investitorit/zhvilluesit. Duke qenë se ky ligj, bie në kundërshtim me Kushtetutën, nga Shoqata e Ndërtuesve sugjerohet shfuqizimi i tij.
Shoqata e Ndërtuesve kërkon edhe rishikimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, në veçanti në Tiranë, ku identifikojnë si më të përshtatshëm nivelin nga 2-6% dhe propozojnë që mënyra e llogaritjes së saj të jetë e orientuar edhe drejt kostos.
Për projektligjin e taksës së pasurisë së paluajtshme të publikuar për konsultim nga Ministria e Financave, Shoqata e Ndërtuesve sugjeron se është e nevojshme t’i bëhet rishikim ndërsektorial të ri, pasi taksa ne formën që është konceptuar në Projektligjin e ri, paraqet shume paqartësi për formën e llogaritjes, aplikimit dhe mbledhjes së saj.
Për sa i përket kuadrit ligjor për prokurime publike; koncesionin; PPP sipas ndërtuesve duhet të adaptohen parashikime ligjore sipas së cilave, në rast të luhatjeve të ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe ato kombëtare, të bëhet njohja e variacioneve të çmimeve, ashtu sikurse parashikohet në librat e verdhë dhe të kuq të “FIDIK” për të gjitha kontratat e punëve publike, qofshin ato me financime të buxhetit, organizatave apo financimeve të huaja. /Monitor