Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në Prishtinë, Kerry Monaghan Hogler, nënshkruan të premten një donacion prej mbi 34 milionë dollarësh për Kosovën.

Marrëveshja e nënshkruar sot synon të sigurojë shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës nëpërmjet investimit në institucione publike.

Presidentja Osmani tha se donacioni do të përqendrohet në fuqizimin e administratës publike, eliminimin e burokracisë dhe promovimin e transparencës

“Duke nxitur llogaridhënien dhe efikasitetin brenda institucioneve publike, kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e vazhdueshëm të korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit të reagmit ndaj nevojave të qytetarëve tanë. Si një marrëveshje e ndërtuar mbi parimet e demokracisë, të llogaridhënies dhe rritjes ekonomike, ajo hap rrugën për një të ardhme më premtuese, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për Kosovën”, theksoi presidentja Osmani.

Ajo tha se përtej ndihmës financiare marrëveshja është dëshmi e qëndrueshmërisë së partnertitetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambsadori amerikan në Prishtinnë, Jeff Hovenier, tha se ky donacion do të mbështesë synimet strategjike amerikane për Kosovën.

“Mendoj se është me vend të shfrytëzoj këtë mundësi për të rikonfimuar partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me popullin e Kosovës. Ky fond shtesë do të mbështesë synimet strategjike amerikane për Kosovën, duke përfshirë përpjekjet për integrimin e Kosovës në institucione euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes ekonomike dhe prosperitetit si dhe përpjekjet për të fuqizuar qeverisjen e mirë dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të institucioneve demokratike”, tha ambasadori amerikan.

Ai tha se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur duke nënvizuar se që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë investuar mbi 2 miliardë dollarë amerikan./VOA/