Ditët e fundit shumë shtete në Europë janë përballur me rritje të ndjeshme të rasteve të reja të personave të infektuar me COVID-19.

Gjatë fundjavës, Franca  shënoi një tjetër rekord për të infektuarit e rinj, që arritën deri në 30 mijë në 24 orët e fundit.

Në lidhje me shtimin e rasteve të reja, ekspertët shprehen se këto shifra janë regjistruar dhe për shkak të rritjes së testimeve ditore. Përveç masave të reja kufizuese që në Francë hynë në fuqi nga e shtuna, masa të reja hyjnë në fuqi sot edhe në pjesë tjetër të Europës.

Në Itali, paketa e re e masave parashikon mbylljen e bareve dhe restoranteve në mesnatë, megjithatë më tej mund të parashikohen masa për ato qytete që shfaqin më shumë rrezik, në raste të tilla mund të aplikohet edhe mbyllja në orën 21:00, sipas vendimit të vetë bashkive. Distanca e afërt do të lejohet vetëm në raste kritike dhe turne të mundshme edhe pasdite për shkollat.

Në disa raste, pas orës 18:00 do të jetë i mundur vetëm konsumi i ushqimit në tryezë, ku duhe ttë qëndrojnë në çdo rast jo më shumë se 6 persona.

Në Belgjikë, baret dhe restorantet janë mbyllur për 4 javë dhe një masë ndalim lëvizje do të jetë në fuqi nga mesnata deri në 05:00 të mëngjesit ndërsa alkooli do të jetë i ndaluar pas orës 20:00 të mbrëmjes.

Në Zvicër, prej të dielës, mbajtja e maskës është e detyrueshme edhe në ambientet e hapura dhe mbledhja e më shumë se 15 personave në publik do të jetë e ndaluar.

Republika Çeke tha se do të presë edhe 2 javë për të parë gjendjen në vend e për të vendosur nëse do të rikthehet në izolim kombëtar apo jo.

Në Irlandë një vendim për masat e reja pritet të merret sot, me qeverinë që po mendon që vendi të kalojë menjëherë në fazën 4, që do të thotë mbyllje e çdo aktiviteti jo të rëndësishëm.

Këtë fundjavë, edhe Gjermania vendosi një rekord të ri sa i takon rasteve të reja ndërsa kancelarja Merkel iu kërkoi qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet.