Këtë të mërkurë është Mbledhur Konferenca e Kryetarëve për të përcaktuar axhendën për seancën që do të mbahet nesër në Kuvend.

Në mbledhje, Gazment Bardhi, është thirrur në cilësinë e kreut të grupit të PD.

Ndërkaq mësohet se e pranishme ka qenë edhe deputetja Flutura Açka, të cilës Basha i ka deleguar kompetencat, për kreun e grupit të PD-së.

Sipas të dhënave që qarkullojnë ne media, Flutura Açka ka kërkuar të dijë nëse Kuvendi ka marrë një vendim apo jo për kryetarin e grupit të PD-së, po nuk ka marrë një përgjigje finale.

Në mungesë të përgjigjes ajo është larguar nga mbledhja. Sakaq, pas kësaj situate ka reaguar vetë deputetja Açka.

“Kuvendi nuk u shpreh dhe shpresoj të shprehet shpejt, sepse, siç edhe thashë në Konferencën e Kryetarëve – nga e cila u largova të mos e bëj qesharake situtës mes kolegëve të mi, me të cilët më shumë gjëra më bashkojnë se më ndajnë – “dy dado e vrasin fëmijën!”

Do t’i lutesha medias të korrekte me çdo lajm. Vetë nuk do të bëj kurrë lajme me sms, sepse fyej veten dhe medias së cilēs (mund) t’ia çoj.

Partia Demokratike nuk ndihmohet me kaos, por me distancë higjienike nga interesi personal i çdonjërit prej nesh, me përgjegjësinë politike të deleguar nga shqiptarët”-është shprehur ajo.