Partia Demokratike ka reaguar, teksa në Kukës pritet të shpallet fitorja e kandidatit socialist, Albert Halilaj.
Arif Rexhmati kreu i PD-së Kukës:
Në Kukës nuk fitoi PS, humbi Berisha dhe Meta për herë te dytë !
Kukësi, bastion i së djathtës, i persekucionit komunist dhe jo vetëm, u la ne dorë të së majtës prej pseudo “të djathtëve” dhe nuk u fitua nga e majta.
PD dhe strukturat e saj ne Kukës , në misionin fisnik të përbashkimit dhe jo të përçarjes së opozitës, ndonëse pranoi etiketime të pabaza, nuk nxori kandidat që të mos ndante votat e kandidatit të BF, ja la të gjithë komisionerët , të gjithë numëruesit , KZAZ, GNV, QV … për një shans të dytë… fitoren ndaj rilindjes.
Në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë, alibirat për “armiq” imagjinarë, për fajtorë të paqenë dhe “hileqarë” që nuk ekzistojnë morën në qafë demokratët, njerezit e thjeshtë , minuan përfundimisht demokracinë dhe forcuan regjimin e Ramës.
Kukësit, pazarxhinjtë e “djathtë” të Tiranës, i vendosën “traun e dytë” të oligarkëve të Ramës.
Ne Kukës dhe në gjithë Shqipërinë alternativa e servirur si e djathtë nga koalicioni “BF” , në të vërtetë nuk ishte asgjë më tepër por një sallatë politike me mbetje të së djeshmes komuniste, të korruptuar të ngelur pa prenë e tyre; pushtetin e marrë me votën e njerëzve të ndershëm dhe të përdorur për interesa personale.
Në Kukës , nuk kishte fushatë bindëse, nuk kishte alternativë qeverisëse, nuk kishte program të mirëfilltë për një qeverisje lokale, nuk kishte përballje me kundërshtarin politik me fakte për korrupsionin dhe keqqeverisjen e rilindjes , nuk pati takime të mjaftueshme në përcjelljen e mesazheve bindëse për votuesin.
Me Kukësin dhe kuksianët janë bërë mjaft eksperimente politike nga kafenetë dhe zyrat në Tiranë , apo te Foltores në Kukës nga disa manipulatorë te cilët e kanë parë Kukësin si “bahçe” votash dhe mbështetjeje për karrierë dhe pazare në kurriz te demokratëve…
Durova, durova sa nuk duron njeri as Perëndi… thoshte Kuteli
Ndaj boll më!
Demokratët duan përgjigje , pse u tallët me ta, ku është diferenca 5000 vota më shumë se rilindja, të fituara në v. 2021 në Kukës ? Çfarë prodhuan në favor të kandidatit ata që erdhën si “shpëtimtarë” , me pompozitet dhe takime deputetësh që nuk kanë asnjë lidhje me Kukësin? Disa prej tyre vinin për herë të parë në Kukës si turistë, e disa të tjerë janë të urryer nga demokratët per neperkembjen e besimit te marre nga votuesit kuksiane.
Parimet janë më të rëndësishme se “flamujt” e interesave tuaja të servirur si kauza …
Përse këta “dashamirës” të kuksianëve që paskan ardhur për “t’i kthyer dinjitetin Kukësit”, nuk dëgjuan zërin e demokratëve për një kandidat rezident përbashkues dhe fitues, por zgjodhën modelin e kandidatit të imponuar …?
Boll heshtëm për hatër të kauzës; se po e dëmtojmë rënde atë. Duke heshtur dhe mos drejtuar gishtin tek fajtorët e humbjes, duhet të pranojmë se po dëmtojmë akoma më shumë PD-në dhe shpresën për të shpëtuar nga kthetrat e regjimit të Edi Ramës.
Për mua fajtorët janë në Tiranë, të djathtët në Kukës janë viktimë e pazareve për interesa personale të Berishës dhe Metës&co.
Koha për të bashkuar demokratët, antikomunistët, të djathtët e vërtetë larg atyre që idealet e demokracisë i shkelmojnë ashtu si shkelmuan dyert e shtëpisë sonë të përbashkët.
Koha për ta thënë qartë dhe prerë, boll më mbetjeve korruptive, komuniste dhe kriminale!
Kukësin e duan më shumë kuksianët!