Një nga krerët e krimit në Meksikë, Rafael Caro Quintero është bashkuar me anëtarë të larguar të kartelit Sinaloa në zonat veriore të Sonora, dhe pritet të sfidojë me luftë organizatën e djemve të El Chapos.

Rafael Caro Quintero është i kërkuar nga FBI në SHBA, mes të tjerash për vrasjen e agjentit special amerikan Enrique Camarena në 1985-n.

Ai ka qenë më parë udhëheqësi i grupit famëkeq Guadalajara Cartel, dhe është liruar së fundmi pasi kreu 28 vjet nga dënimi me 40 vite burg në Meksikë.

68-vjeçari i përmendur dhe në dokumentarin e njohur amerikan ‘Narcos’ ka nisur tashmë rekrutimet dhe ka formuar kartelin Caborca, raporton rrjeti argjentinas Infobae.

Quintero po e bën këtë duke mbledhur ish-anëtarë të distancuar të kartelit Sinaloa të ElChapo, për kapjen e rrugëve të trafikut të drogave drejt SHBA.

Eksperti i sigurisë Dr Robert J Bunker, thotë se zhvillimi është një kërcënim për grupin e drejtuar tashmë nga djemtë e Chapo, Jesus Alfredo Guzman, Ivan Archivaldo Guzman dhe Ovidio Guzman Lopez, e ndoshta së shpejti pritet përballja  mes dy grupeve.

Dr Bunker shton: “Lufta e rrugëve te droges tashmë po zhvillohet mes ‘narko-ve’ të vjetër dhe ish anëtarëve të Sinaloa, që kërkojnë të rrëzojnë Los Chapitos (djemtë e El Chapo-s). Nga ana tjetër kemi gjithashtu Ismael ‘El Mayo’ Zambada që tenton të marrë nga brenda kontrollin e Sinaloa nga Los Chapitos.”

“Kështu që fraksioni i ‘El Mayo’ mund të bashkëpunojë me kartelin Caborca për të vjedhur pushtetin nga djemtë e El Chapo, duke i shtuar konfliktit të brendshëm nje tjetër front”.

Në qershor 12 njerëz u gjetën të vdekur në qytetet Caborca dhe Sonoyta pasi djemtë e El Chapo kishin hyrë në territorin e Quintero-s.