Ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se nga sistemi TIMS nuk ka patur asnjë rrjedhje.

Duke folur në komisionin parlamentar të çështjeve anëtare, Balla theksoi se tashmë çështja për dyshime se është ndërhyrë në sistemin TIMS, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.

Balla theksoi se e mbështet këtë hetim dhe duhen pritur rezultatet, por nga ana tjetër garantoi se nuk ka patur rrezik apo kopjim nga sistemi TIMS.

“Për një çështje të operimit të brendshëm që lidhet thjesht dhe vetëm me procedura të funksionimit të brendshëm dhe me një backup i cili është thjesht dhe procedurial i brendshëm, nuk ka asnjë shqetësim për ndonjë rrjedhje të dhënash. Dhe dua t’ju garantoj që ministri i Brendshëm është informuar në kohë reale nga vetë personat që pretendonin për këtë problematikë dhe që nga ai moment i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të dy edhe në një këndvështrim “check and balance” do ta quaja, kanë iniciuar hetimet e tyre, qoftë Drejtori i Përgjithshëm përmes Drejtorisë së Standardeve, qoftë Drejtori i Përgjithshëm i AMP, dhe natyrshëm i kam kërkuar përfshirjen e menjëhershme të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit, por ka qenë rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqet nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po ashtu besoj që jeni vënë në dijeni të faktit që Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar një procedim të cilin unë e mbështes plotësisht dhe që në çdo rast të çdo lloj pretendimi mendoj që duhet të pranojmë të gjithë dhe duhet të vendosim një standard pas kaq vitesh në Shqipëri, që në momentin që fillon Prokuroria hetimin ne duhet të heshtim dhe të presim vlerësimin. Por në aspektin administrativ të asaj që unë mbuloj, dua të garantoj çdo qytetar shqiptar dhe çdo qytetar të huaj që ka hyrë apo ka dalë në Shqipëri, sepse sistemi TIMS për ata që nuk e dinë është një sistem i një regjistrimi të çdo hyrje/dalje në kufijtë e Republikës së Shqipërisë.

Falë investimit edhe të partnerëve, ne kemi tashmë një qendër të operimit të të dhënave në Tiranë e cila ka dhe standardet më të mira dhe gjithë pretendimet le të verifikohen edhe nga Prokuroria edhe të jetë Prokuroria ajo që ta thotë fjalën e fundit në aspektin tim si ministër i Brendshëm nxis çdo rast që të hetohet plotësisht edhe nga Prokuroria. Edhe pse nga vlerësimi që është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, rezulton ajo që unë ju thashë, që nuk ka pasur asnjë rrezik dhe nuk ka pasur asnjë kopjim, por pastaj për më keq akoma kur fillon që balta të kthehet në piedestal pastaj të ketë gjoja përdorim të këtyre të dhënave. Është e pamundur. Megjithatë, sapo dhe Prokuroria të përmbyllë hetimet, unë do të jem përsëri sa herë të më kërkoni që të vij përsëri këtu dhe t’ju informoj”, u shpreh ministri Taulant Balla.