Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim Ndihmës Sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Maria Royce.

Meta vlerësoi rëndësinë që ka vizita e saj për të konsoliduar e forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe të kulturës.

Kreu i shtetit ka theksuar se bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe të kulturës ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA do t’i shërbejë së ardhmes të vendit dhe do të promovojë mirëkuptimin ndërkulturor, si një mundësi reale për të afruar më shumë dy popujt.

POSTIMI I METËS

I lumtur të takoja sot Ndihmës Sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, znj.Maria Royce.

Vlerësova rëndësinë që ka vizita e saj për të konsoliduar e forcuar më tej marrëdhëniet tona në fushën e arsimit dhe të kulturës. Duhet të synojmë, që sa më shumë studentë shqiptarë të arsimohen e edukohen në SHBA, por njëkohësisht, edhe krijimin e kushteve që ata të kthehen në vendin e tyre, për t’u bërë liderët e ardhshëm të tij.

Bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe të kulturës ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA do t’i shërbejë së ardhmes të vendit tonë dhe do të promovojë mirëkuptimin ndërkulturor, si një mundësi reale për të afruar më shumë popujt tanë.