Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës pasi udhëtonin me taksi dhe njëri prej tyre ishte i armatosur me kallashnikov.
Uniformat blu kishin marrë informacione në rrugë operative dhe ndaluan taksinë në lagjen “1 Maji”. Forcat “Shqiponja” arrestuan 43-vjeçarin me iniciale K.B. pasi ishte i armatosur me një kallashikov dhe municione luftarake.
Policia arrestoi edhe dy personat e tjerë që udhëtonin me të, D.B. 34 vjeç dhe K.M. 28 vjeç, të akuzuar për moskallëzim krimi pasi kishin dijeni se 43-vjeçari posedonte armë.
Policia thotë se këta persona janë me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, shfrytëzimit të prostitucionit dhe atë të vjedhjes. Ata kishin marrë një mjet taksi dhe ishin nisur në drejtim të qytetit të Vlorës.
Autoritetet vijojnë ende punën për zbardhjen e qëllimit që kishte personi që qarkullonte me armë zjarri me vete.





