Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në aksin Milot-Morinë me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Dy makina tip “Benz” dhe “Ford” janë përplasur me një autobot pranë tunelit të Kalimashit. Ditën e sotme është bërë e mundur arrestimi i shoferit të automjetit tip “Benz”, A.B 48 vjeç banues në Tiranë. 48-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin S. O. dhe autobotin tip “MAN” me drejtues shtetasin Sh. S.

Nga ky aksident humbën jetën drejtuesi i automjetit tip “Ford”, shtetasi S. O., dhe pasagjeri në këtë automjet, shtetasi N. O., të dy banues në Kosovë. Gjithashtu, nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi A. B., pasagjerja në këtë automjet, shtetasja K. B., 26 vjeçe dhe pasagjeri tjetër në automjetin tip “Ford”, shtetasi I. L., 44 vjeç.

Në informacionin paraprak të ditës së djeshme, është dhënë se drejtuesi i automjetit tip “Ford” ishte shtetasi I. L., por nga veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se drejtuesi i këtij automjeti ishte shtetasi S. O.