Rastet e riinfektimit nga Covid-19 po raportohen nga e gjithë bota duke sugjeruar që ekspozimi ndaj virusit nuk mund të garantojë imunitet në të ardhmen. Në fakt, një studim i botuar së fundmi deklaroi se pacientët me Covid-19 mund të përjetojnë simptoma më të rënda kur infektohen për herë të dytë. Janë rreth 25 raste të njohura të riinfektimit me Covid-19 në botë. Sipas raportit të fundit nga mediat, një nga këta pacientë në Hollanda ka vdekur pasi u sëmur për herë të dytë. Pacienti, ishte një grua 89-vjeçare dhe besohet se ëtshë rasti i parë i njohur i vdekjes për shkak të riinfektimit me koronavirus.
Kur gruaja u infektua me koronavirus për herë të parë, ajo kishte zhvilluar simptoma të tilla si ethe të lartë dhe një kollë të fortë. Ajo doli nga spitali pas pesë ditësh dhe rezultoi negative në dy testet që bëri pasi iu zhdukën simptomat. Pas dy muajsh, ajo u infektua me një lloj tjetër të virusit ku pati ethe, kollë dhe gulçim të rëndë dhe përfundoi sërish në spital.
Pacientja hollandeze gjithashtu vuante nga Macroglobulinemia e Waldenström, një formë e rrallë e kancerit të palcës së kockave, e cila me sa duket i kishte dobësuar sistemin imunitar. Ajo rezultoi e infektuar me COVID-19 dy ditë pas trajtimit të saj me kimioterapi dhe vdiq dy javë më vonë.
Infeksioni i dytë mund të shkaktojë simptoma më të rënda
Studimi gjithashtu raportoi rastin e parë të konfirmuar të riinfektimit me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara. Një 25 vjeçar nga Nevada u infektua për herë të dytë nga koronavirusi dhe sipas raportit, pacienti pësoi simptoma më të rënda gjatë infeksionit të dytë, ku përfundoi i shtruar në spital. Ai nuk kishte çrregullime të njohura të imunitetit ose kushte themelore, kanë deklaruar shkencëtarët.
Djali 25-vjeçar rezultoi pozitiv në Prill me Covid-19 dhe sërish në Qershor ai u riinfektua. Simptomat e tij herën e dytë ishin më të rënda. Ai kishte ethe, dhimbje koke, marrje mendsh, kollë, të përziera dhe diarre. Pacienti është rikuperuar nga infektimi për herë të dytë dhe ka dalë nga spitali, vuri në dukje studimi.
Arsyet pse mund të jetë më i ashpër riinfektimi
Sipas studimit, pacienti amerikan mund të ketë ardhur në kontakt me një variant më virulent të virusit.
Një tjetër arsye e besueshme, sipas studiuesve, mund të jetë mekanizmi i rritjes së varur të antitrupave. Disa proteina mbrojtëse të prodhuara nga sistemi imunitar gjatë takimit të parë me virusin mund të përkeqësojnë një infeksion të mëvonshëm.
Ka ende shumë të panjohura në lidhje me SARS-CoV-2 dhe reagimin e sistemit imunitar, këto zbulime tregojnë se një infeksion i mëparshëm nuk mund të garantojë mbrojtje ndaj infeksionit në të ardhmen.
Prandaj, të gjithë individët pavarësisht nëse janë diagnostikuar më parë ose jo, duhet të marrin masa paraprake duke përfshirë distancimin shoqëror, mbajtjen e maskave të fytyrës dhe larjen e duarve për të parandaluar infeksionin me SARS-CoV-2.