Këtë të hënë pritet të dalë para Gjykatës Jamarbër Malltezi për t’u njohur me masën e sigurisë. Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua në ambientet e aeroportit të Rinasit, mbrëmjen e së shtunës, 21 tetor.
Seanca pritet të zhvillohet në orën 13:30 në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në të njëjtën orë pritet të zhvillohet edhe seanca për biznesmenin Fatmir Bektashi.
Ata akuzohen për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, ndërsa është e paqartë se si do të vijojë procesi për Sali Berishën për shkak se mban mandatin e deputetit.
Nga ana tjetër, në Gjykatën e Posaçme nuk ka mbajtur procesverbalin për njoftimin e Berishës nga Oficeri i Policisë Gjyqësore.
Ndërkaq, Berisha ka refuzuar takimin me agjentët e policisë së Shtetit të cilët shkuan në selinë e Partisë Demokratike mbrëmjen e 21 tetorit.
Ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitje” si dhe i është ndaluar dalja jashtë Shqipërisë.
Pas ndalimit të Malltezit, po me vendim të GJKKO-së, këtij të fundit ju sekuestruan edhe disa pasuri, duke nisur nga llogaritë bankare te aksionet në disa kompani.
Pasuritë e vendosura nën sekuestro preventive:
16 pasuri të paluajtshme
6 llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek)
45% e kuotave te kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk
100 % e kuotave të ‘Magnet IMO” shpk
60% e kuotave Magnet Gym&Fit