Avokati mbrojtës i Jamarbër Malltezit, ndaj të cilit GJJKO konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ka reaguar për mediat duke thënë se klienti i tij nuk ka vepër penale.

Sipas tij, është cenuar parimi i sigurisë juridike.

“Personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie civile të pastër, nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve që janë kundërshtuar të pretendohet kryerja e veprave penale.

Qëndrimi jonë në raport me akuzat është një qëndrim mohues. Këtë e them me bindje pasi kemi parë aq sa mundëm fashikujt në gjykatë. 

Të akuzosh një familje të vjetër tiranase që është familja Begeja që ka lidhur një kontratë me një familje tjetër tiranase, është shumë e guximshme. 

Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe në këtë vend po cenohet parimi i sigurisë juridike”, theksoi ai.