Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka folur ditën e sotme në Këshillin e Sigurimit në një debat të nivelit të lartë për situatën në Lindje e Mesme.
Në takim ishte i pranishëm edhe sekretari Amerikan i shtetit, Blinken si edhe ministrat e Jashtëm të Izraelit dhe Palestinës.
“Shqipëria mbështet Izraelin në të drejtën e tij legjitime për vetëmbrojtje. Ne besojmë se ekziston një mënyrë për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e Izraelit.
Duhet marrë çdo masë paraprake për të mos dëmtuar civilët. Hamasi priste që bota të kthehej kundër Izraelit, ne nuk duhet të mashtrohemi.
Shqipëria dënon çdo legjitimim apo glorifikim të sulmeve terroriste. Qëllimi i Hamasit nuk është të mbrojë palestinezët, veprimet e tyre nuk i përfaqësojnë ata
Palestinezët duhet të jenë të parët që kundërshtojnë aktet e tmerrit. Hamasi po ua mohon atyre të tashmen, po u vjedh të ardhmen. Ne jemi të shqetësuar nga një rritje e frikshme e ndjenjave antisemite.
Nuk duhet të qëndrojmë indiferentë përballë thirrjeve që vijnë nga narrativa naziste. Duhet të reagojmë kundër të gjithë atyre që ndezin flakët e përçarjes dhe diskriminimit.
Situata humanitare në Gaza është dramatike. Dënojmë sulmin në spitalin Al-Ahli dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë për përgjegjësisë. Mirëpresim marrëveshjet për kalimin e autokolonave humanitare në Gaza. Nevojat janë shumë herë më të larta, por përpjekjet duhet të vazhdojnë. Ndihma humanitare për civilët duhet të vazhdojë pa pengesa.
Mirëpresim lirimin e pengjeve nëpërmjet asistencës. Të shmanget përhapja e konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme. Dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin, bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e paprovokuara.
Retorika provokuese nuk ndihmon, të përcjellim mesazhe kujdesi dhe përgjegjësie. Izraeli ka nevojë për siguri dhe meriton siguri
Palestinezët kanë nevojë dhe e meritojnë shtetin e tyre. Çështja e Palestinës nuk duhet të vazhdojë të mbetet një punë e papërfunduar. Shqipëria rithekson mbështetjen e saj për të dyja kombet, për të dyja shtetet. Këshilli i Sigurimit, Hasani: Shqipëria mbështet projekt-rezolutën e SHBA-ve, që trajton të gjitha çështjet përkatëse,” tha ndër të tjera Hasani në Këshillin e Sigurimit.