Pas dorëheqjes së Ardi Veliut nga posti drejtues në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Ministria e Brendshme ka shpallur thirrjen për aplikime.
Sipas njoftimit zyrtar, dorëzimi i dokumentave të renditura, gjithnjë bazuar në kriteret e përcaktuara do të kryhet në zyrën e protokollit të MB-së. Gjithë procesi do zgjasë deri më 3 Nëntor të këtij viti.
Më poshtë njoftimi i plotë nga Ministria:
Ministria e Brendshme shpall thirrjen për aplikime për pozicionin Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
KUSHTET:
Kritere të përgjithshme:
• të ketë shtetësinë shqiptare;
• të ketë integritet dhe figurë të pastër morale;
• të mos ketë masa për shkelje të rënda disiplinore brenda 3 vjetëve të fundit;
• të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Kritere të veçanta:
• të ketë shërbyer për një periudhë, jo më pak se 10 vjet në strukturat e sigurisë, ose në sistemin e drejtësisë;
• t’i nënshtrohet ose të ketë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar.
DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet, si më poshtë:
• Kërkesën për aplikim;
• Jetëshkrimin;
• Fotokopje të diplomës;
• Fotokopje të librezës së punës dhe/ose dokumentacionit që vërteton eksperiencën në punë;
• Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
• Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
• Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
• Çdo dokumentacion tjetër të mundshëm që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, apo vlerësimet për eksperiencat e punës të përmendura në jetëshkrim.
Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara mund të bëhet në zyrën e protokollit të Ministrisë së Brendshme, ose përmes dërgimit në postën elektronike zyrtare të institucionit : [email protected]. Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën për aplikim, si dhe dokumentacionin vërtetues për kriteret e përgjithshme e të posaçme brenda datës 3 Nëntor 2023.