Një aksident tragjik në punë ka ndodhur në Hamburg të Gjermanisë, që i ka marrë jetën 4 shtetasve shqiptarë pasi skela ku ata punonin u rrëzua nga kati i 8-të.
Aksidenti i rëndë ndodhi të hënën, por trupi i pajetë i shqiptarit të katërt u nxor nga rrënojat mbrëmjen e së martës.
Ngjarja ndodhi në HafenCity dhe mësohet se skela u shemb nga kati i 8-të në një bosht ashensori.
Katër shqiptarë humbën jetën, ndërsa një tjetër u plagos rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike.
Dyshohet se skela nuk ishte vendosur siç duhet dhe rreth 80 blloqe betonit ishin vendosur mbi të. Blloqet e betonit ishin vendosur në skelat midis katit të tretë dhe të katërt.
Fillimisht u raportua se viktimat ishin bullgarë, por policia gjermane sqaroi më vonë se ishin shtetas shqiptarë.





