Zëvendëstrajneri Bledar Hodo flet për rrjedhën e fazës përgatitore, por edhe gjendjen që po kalon Teuta, pa harruar edhe objektivin që kanë bregdetarët për këtë sezon.Hodo thekson se i vetmi problem për skuadrën janë ndeshjet zyrtare, që duhet të nisin sa më shpejt. Zv.trajneri shpreson që lojtarët e ardhur në merkato të japin ndihmën e tyre për të arritur objektivat që ka Teuta në sezonin 2020-2021.
Futbolli vazhdon bojkotin, çfarë ndikimi ka kjo te një ekip dhe te lojtarët?
Kjo situatë ndikon psikologjikisht te lojtarët sepse pa kampionat varet e ardhmja e tyre, gjithashtu edhe e klubit. Shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt.
Si është gjendja dhe a jeni të kënaqur ju si staf me ekipin?
Situata është normale në aspektin e stërvitshmërisë dhe e harmonisë në skuadër. Problem janë vetëm ndeshjet zyrtare, pasi vetëm duke qenë në aktivitet mund ta dimë se ku jemi konkretisht.
Tani që janë afruar lojtarë cilësorë, a do të guxojë Teuta për titull?
Unë mendoj se lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar janë cilësorë. Gjithashtu edhe lojtarët që janë afruar mendoj se do të na japin ndihmën e tyre për të arritur objektivat që kemi. Ne besojmë dhe sigurisht do të guxojmë e do të japim gjithçka për gjithçka. Shpresojmë që ta fillojmë mbarë kampionatin.
Ekipi është i gjithi i dubluar dhe rrjedhimisht konkurrenca është shtuar. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Besoj që konkurrenca në skuadër është diçka pozitive dhe duke qenë të bashkuar si grup, do të mundohemi të marrim më të mirën nga të gjithë lojtarët.
Pas një faze përgatitore të stërgjatë, a është gati Teuta për të zbritur në fushë?
Normalisht që po. Jemi gati dhe po presim vetëm dritën jeshile për startin e Superiores. Ekipi është duke u stërvitur në mënyrë të shkëlqyer dhe besoj se jemi gati për fillimin.
Kur shikon merkaton e bëre nga klubet e Superiores, cili është ai ekip që konsideroni si rival direkt për Teutën në kampionat?
Unë i shikoj dhe i vlerësoj të gjitha skuadrat e Superiores si konkurrentë. Mendoj që futbolli është rritur shumë dhe diferencat janë minimale, ndaj besoj te skuadra dhe rival kemi veten.





