Viti 2023, ende pa u mbyllur, po rezulton si më i miri historik në turizëm, duke rritur optimizmin edhe për vitin 2024. Operatorët turistikë raportojnë për rritje me 35% të kontratave me garanci që i takojnë turizmit të organizuar për vitin tjetër. Zhvlerësimi i Euros dhe rritja e kostove kanë rritur çmimin e paketave të Shqipërisë me 15-25%, diçka që mund t’i stepë disi turistët që janë mësuar me çmime ekonomike. Tregu polak vijon të mbetet në krye të atyre që zgjedhin Shqipërinë në formë të organizuar, kurse italianët janë kampionët e turizmit individual. Pjesa më e qëndrueshme e turizmit në vend mbetet zona e Golemit dhe Durrësit. Operatorët turistikë nënvizojnë se “kthimi i syve të botës” nga Shqipëria vjen me përfitime dhe rrezik, ndaj duhet që të reflektohet shpejt për të marrë masa tek ato që ishin pikat e dobëta të sezonit që lamë pas.
Shqipëria ka arritur gjatë këtij viti kreshtën më të lartë, në ngjitjen e vazhdueshme të turizmit. Milionat e vizitorëve që hynë në territorin shqiptar, me një intensitet më të theksuar në muajt e verës, e kthyen vendin në një destinacion që “mbërtheu” vëmendjen në media sociale si Tik-Tok, Instagram apo Facebook.
Ky është viti më i mirë historik në numrin e turistëve, një majë e re e sektorit që parashikohet të vijojë edhe vitin tjetër. Operatorët turistikë janë sa entuziastë nga ky moment i mirë për Shqipërinë, aq edhe të frikësuar.
Sinjalin e parë për vijimin e një ritmi pozitiv të turizmit e dhanë agjencitë e huaja që në qershor 2023, ende pa mbërritur piku i verës, të cilat kërkuan të nënshkruanin në rritje kontratat me garanci të vitit 2024.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet se kontratat me garanci kanë ardhur në rritje dyshifrore. Rritja e kërkesës ka qenë e tillë duke lënë një pjesë të partnerëve ndërkombëtarë pa plotësuar nevojat që kishin apo planifikimet për kapacitete shtesë.
“Kontratat janë mbyllur. Nga ajo që shoh në përgjithësi nga tregu është një rritje që shkon deri në 35% ‘e-commitment’, apo angazhimit për të hyrë në marrëdhënie garancie.
Këtë vit janë ezauruar kapacitetet që jepen me garanci dhe disa partnerë kanë siguruar kërkesat e tyre, ndërsa disa të tjerë nuk kanë arritur të gjejnë kapacitetin e kërkuar. Edhe për vitin e ardhshëm, tregu polak është në krye dhe më pas vjen ai çek e të tjerët me radhë”, – nënvizon z. Kasa.
Na erdhën turistë ekonomiqarë, por Shqipëria bëhet më e shtrenjtë
Shqipëria ishte në krye të zgjedhjes së një pjese të mirë të pushuesve, si një destinacion ekonomik në kushtet kur inflacioni i lartë në vendet europiane i bëri disa nga tregjet tradicionalë turistikë të tyre të papërballueshëm.
Një shembull i tillë ishin italianët, që braktisën plazhet e Pulias, duke i cilësuar si tepër të shtrenjta për të ardhur në bregdetin shqiptar, sidomos në Vlorë e Sarandë dhe një pjesë, edhe në Durrës.
Me qindra video në rrjete sociale tregonin anën ekonomike të Shqipërisë në lidhje me akomodimin apo ushqimin. Hotelet dhe restorantet, nga ana tjetër, këtë vit raportonin për një turist më kursimtar që nuk i pëlqente të shpenzonte shumë.
Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë, thekson se kemi pasur një fluks dukshëm më të lartë turistik, që nuk është reflektuar njësoj edhe në konsum.
“Krahasuar me vitin e kaluar, nëse flasim fizikisht si turistë, mendoj se në disa rajone ka pasur dyfish më shumë e në të tjera, 70-80% më shumë turistë. Konsumi nuk është rritur me të njëjtin ritëm, por në raport me vitin e kaluar mund të themi se është rritur me 50%. Jo të gjithë moshat e turistëve kanë shpenzuar shumë” – nënvizon ai.
Edhe për turizmin e organizuar, Shqipëria ofronte këtë vit paketat më konkurruese, të cilat për vitin tjetër do të sjellin një panoramë të re.
“Çmimet e vendosura këtë vit në kontrata garancie, që i takojnë sezonit të ardhshëm, kanë shënuar rritje drastike, që varion nga 15-25%, e cila nuk është normale për një marrëdhënie bashkëpunimi siç kemi ne me agjencitë e huaja.
Me këtë nivel, Shqipëria do të shitet 25% më shtrenjtë dhe klienti, që është mësuar me çmimet e viteve të kaluara, do të befasohet me një çmim dukshëm më të lartë. Le të themi që nëse një paketë është shitur 1000 euro, tani do të shitet 250 euro më shumë dhe vlera nuk është e vogël.
Kjo rritje e konsiderueshme është efekt i zhvlerësimit të Euros dhe kostove të rritura”, – pohon z. Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.
Tregjet që na zgjodhën, Kosova dhe Italia si individualë, polakët të organizuar
Italianët, për herë të parë këtë vit, ishin grupi i dytë i turistëve që na vizituan duke u renditur pas shqiptarëve të Kosovës që përbënin 40% të turistëve totalë deri në fund të 8-mujorit. Në Shqipëri, për të njëjtën periudhë, hynë 660 mijë shtetas nga Italia.
Grupet që historikisht kanë ardhur pas shqiptarëve të Kosovës, si Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që përbëhet nga emigrantët apo shqiptarët e trevave, vijnë pas italianëve. Konkretisht 511 mijë vizitorë erdhën nga Maqedonia e Veriut deri në gusht, me rritje 8% në raport me një vit më parë.
Kurse nga Greqia, rritja në 8-mujorin 2023 është me 39%. Të paktën 450 mijë shtetas hynë nga shteti helen. Tregjet në fjalë janë kryesisht individualë, ndërkohë që polakët dhe çekët vijnë të organizuar.
“Tregu kryesor gjatë vitit 2023 për turizmin e organizuar mbetet ai polak dhe më pas vijnë çekët, spanjollët. Vihet re edhe prania e turistëve nga vendet Baltike, Hungaria, Sllovakia. Të organizuar me block seat (rezervim vendesh në linja ajrore, por jo charter të posaçëm) janë nordikët, gjermanët dhe zviceranët”, – pohon z.Kasa.
Sipas tij, grupet e organizuara qëndrojnë kryesisht në zonën e Kavajës dhe Durrësit, duke e bërë këtë rajon më të qëndrueshmin në aspektin turistik.
Në lidhje me polakët, aspekti pozitiv i këtij tregu, sipas operatorëve turistikë është fakti që përfshijnë të gjithë kategoritë e turistit, nga ai që shpenzon pak tek ai që shpenzon shumë.
“Tregu skandinav ka operuar nga maji deri në fund të shtatorit dhe nuk ka ndonjë rritje shifrash, siç ka ndodhur me të gjithë tregjet e tjera. Polakët, nga ana tjetër, kryesojnë. Ka një trend në rritje me nivele dukshëm të larta nga viti në vit dhe mbetet më i qëndrueshmi.
E veçanta e tregut polak është që përfshin të gjithë kategoritë apo nivelet ekonomike në prurje. Janë një grup turistësh që shpenzojnë në mënyrë ekonomike madje shumë më shumë se çdo lloj tregu tjetër” nënvizon z. Çipa.
Pse rritja e turizmit sjell optimizëm dhe frikë
Në fund të një sezoni turistik, të gjithë bëjnë bilancet. Ky vit pa diskutim ka një bilanc pozitiv si për subjektet që operojnë drejtpërdrejt në këtë sektor, ashtu edhe për industritë mbështetëse, por pritshmëria që viti 2024 mund të jetë edhe më mirë, i gëzon dhe frikëson njëkohësisht.
Kjo lidhet më së shumti me mundësitë e vendit për të përballuar siç duhet një fluks edhe më të lartë turistik në kushtet kur shqetësimi më i madh është mungesa e fuqisë punëtore.
“Ky është problemi më i madh që ne shohim, të cilin nuk dimë si do ta zgjidhim. Nga viti tjetër shoh të kemi më shumë probleme në lidhje me menaxhimin, transportin dhe akomodimin.
Në këtë moment Shqipëria është bërë, le ta quajmë, qendra e botës dhe në këtë drejtim do shumë maturi dhe kujdes.
Duhet të bashkëpunim dhe koordinim i të gjithë palëve, pasi kjo surprizë e bukur që na u paraqit, mbart me vete rrezikun e një bumerangu në lidhje me 5-vjeçarin e ardhshëm nëse ne nuk tregojmë se jemi të aftë të ofrojmë menaxhim dhe cilësi në standarde”, – nënvizon z. Çipa.
Në të njëjtën linjë është edhe kreu i Unionit Turistik Shqiptar. “Shqipëria që u bë trend në vitin 2023 mendoj se do të ketë të njëjtën rritje edhe në vitin 2024.
Nëse kjo ndodh, mendoj se sfida më e madhe do të mbetet shërbimi, pasi në njërën anë, na rriten shifrat e turistëve dhe në anën tjetër na pakësohen punonjësit, pasi emigrimi ende vijon të mbetet aktiv.
Ky është problem më i madh që shoh. Njerëzit po vijnë por nëse nuk ke shërbim, do të na kthehet në bumerang, pasi do të na dëmtojë imazhin. E nëse ndodh kjo, mendoj se do plotësohet cikli dhe pas 2030-s, nuk do të kemi më rritje” nënvizon ai. /Monitor