Gjendja shëndetësore e naftëtarëve të Ballshit sa vjen e përkeqësohet, ndërkohë që greva e tyre ka hyrë në ditën e 14-të.

Ata janë të vendosur që do të dalin prej saj deri kur të plotësohen kërkesat e tyre për pagat e prapambetura që prej vitit 2016.

Gjendja e tre naftëtarëve është rënduar së tepërmi dhe për këtë arsye është lejuar futja e ambulancës brenda ish-qendrës shëndetësore të uzinës për t’i transportuar ata me urgjencë drejt spitalit.

Gjendja e naftëtarëve është acaruar edhe më shumë nga zgjidhja e problemit të burgosurve të cilët disa ditë më parë hynë në grevë urie dhe dolën prej saj pasi iu plotësuan disa nga kërkesat.

Naftëtarët e Ballshit kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë. Edhe pse kanë 14 ditë në grevë urie, asnjë përgjigje nuk kanë marrë nga Ministria e Energjetikës.

Në mbështetje të tyre një ditë më parë, dolën edhe naftëtarët e tjerë të cilët nuk janë në grevë duke protestuar në qendër të Ballshit. Ata kanë paralajmëruar përshkallëzim e protestave dhe paralizim të jetës në qytet, nga bllokimi i rrugëve deri te bojkotimi i mësimit në shkolla.