Emisioni “Në Shënjestër” ka trajtuar këtë të mërkurë atentatin ndaj Fatjon Dervishit, i njohur si Toni Dervishi, i cili u ekzekutua në Sukth më 26 shtator të këtij viti.

Toni Dervishi ka qenë nën hetim nga autoritetet holandeze për trafikim të lëndëve narkotike.

Është mesnatë, ku mbi shinat e trenit, një automjet Audi A7, ngjyrë e zezë, po përpiqet të çajë sa të mundet errësirën, në një rrugë e cila jo vetëm është e amortizuar, por edhe e pandriçuar që nuk të jep shumë mundësi të shikosh më gjatë përpara.

Në këtë orë, në këtë zonë të Sallmones, në lokalitet i vogël pranë Shijakut, lëvizjet janë thuajse të rralla, Toni Dervishi, në drejtimin e automjetit dhe miku i tij Ergis Shahini sapo po kthehen nga një darkë e konsumuar në Tiranë, në një nga restorantet e kryeqytetit. Deri në këtë moment, asgjë nuk duket se do ua prishë shijen e një mbrëmje të kaluar këndshëm në shoqërinë edhe të miqve të tjerë. Ndërsa sapo kanë kaluar shinat e trenit dhe mjeti me të cilin udhëtojnë ka ulur shpejtësinë për shkak se rruga në këtë zonë të fshatit është jo e mirë, udhëtimit të tyre duket se këtu i ka ardhur fundi.

Edhe pse janë akoma larg, pikës së tyre të mbërritjes, i pari që del i lemeritur nga makina është drejtuesi i makinës, Toni Dervishi, i cili ka marrë disa plumba në trup. pikërisht nga krahu i shoferit, aty nga ku u shkreh një breshëri e gjatë automatiku. I dyti pas tij, që rend ti vijë në ndihmë mikut të plagosur dukshëm rëndë, është pasagjeri në vendin e parë të makinës, Ergis Shahini, që me gjithë thirrjet e tij për ndihmë, askush nga automjetet e pakta që lëvizin në këtë orë në këtë aks rrugor, nuk pranon të ndalojë.

Por fati i Toni Dervishit duket se ishte i parashkruar në ato plumba, që më pas do të rezultonin fatal për të. Ai humbi jetën vetëm pak momente pasi një autoambulancë e shoqëroi në spitalin më të afërt rajonal, ndërsa zbardhja e ditës, solli edhe reagimin e parë paraprak të Policisë së Durrësit, mbi ngjarjen.

Një atentat që në fakt, në pamje të parë, për vetë mënyrën e egër dhe tinëzare, por edhe pritën se si u organizua dhe u qëllua makina e drejtuar nga viktima, të linte pak mëdyshje, se vrasja kishte motive shumë më të forta, se sa një krim ordiner për shkaqe shpesh banale që ndodhin në Shqipëri.

“Më datë 27 shtator 2023, në Katund Sukth, tek shinat e trenit, është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, shtetasi Fatjon Dervishi, 38 vjeç, ku ky shtetas, u transportua në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra, nuk mundi të shpëtojë dhe për pasojë ndërroi jetë në spital.

Por kush ishte Toni Dervishi, që emrin e vërtetë e kishte Fatjon Dervishi, por që njëkohësisht mbante edhe gjeneralitetet Toni Margen? Çfarë përfaqësonte ky personazh për shënjestruesit e tij, dhe a ishte ai aq i pastër në kartelën e tij, sikurse u tha në raportimin e parë mediatik të lajmit për ekzekutimin e tij?

Por përpara se të shkojmë te vetë personazhi i Fatjon Dervishit apo Toni Margen, viktima me shumë emra, një precedent gati i zakonshëm tanimë për kontigjentët e krimit në Shqipëri, që pas ndërrimit të gjeneraliteteve, fshehin të shkuarën e tyre të errët. është me interes të ndjekim itinerarin e tij të fundit në këtë jetë.

Atë që ndoshta kanë ndjekur edhe vetë qitësit e tij, të cilët duket se kanë pasur informacione gati të përpikta mbi lëvizjet e presë së tyre. Ashtu si edhe mëngjesin, në ndërrim të datave 26 dhe 27 shtator, kur ata e pritën me durim viktimën e tyre në një rrugë ku ai do ta kishte të pamundur tu shpëtonte plumbave.”, thuhet në dosjen hetimore.

“Shërbimet e Policisë, në drejtimin e prokurorit, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për rastin. Konkretisht, deri më tani, në ambientet e policisë, janë shoqëruar për t’u pyetur mbi rrethana të kësaj ngjarje, 7 shtetas, mes tyre edhe shtetasi Ergis Shahini, pasagjer në automjetin që drejtonte 37-vjeçari. Por çfarë tha për oficerët e policisë gjyqësore, Ergis Shahini, njeriu që përveç tmerrit të plumbave që përjetoi, që këtë herë i fishkëllyen fare pranë, ishte edhe personi i vetëm që mund të hidhte disi dritë për hetuesit në këtë ngjarje të veshur nga errësira. Cila ishte përditshmëria e tyre para se të binin pre e plumbave dhe kush ishin miqtë me të cilët ndanë darkën e fundit në Tiranë, para se të ktheheshin në Shijak, në banesat e tyre? Pavarësisht tronditjes së fortë që pësoi për humbjen tragjike të Toni Dervishit, Ergis Shahini tregoi për hetuesit, se ai ishte bashkuar me mikun e tij tashmë të ndjerë, vetëm pak orë para se të binin pre e atentatit.”, thuhet në dosjen hetimore.

“Në momentin e atentatit kam qenë në makinë me viktimën, Toni Dervishi (Margen). Ne u takuam rreth orës 20.30 në një lokal në Maminas dhe u nisëm në drejtim të Tiranës, për të darkuar, ku lëvizëm me një makinë Audi A7.” ka deklaruar Ergis Shahini.

Pra siç shikohet nga kjo pjesë e parë e dëshmisë së dhënë nga miku i tij Ergis Shahini, Fatjon Dervishi, lëvizte me një automjet jo të vetin, çka tregon ndoshta për një kujdes të shtuar nga ana e këtij të fundit, përsa i përket sigurisë fizike. Ndërkohë që nuk duket e paqëllimshme, fakti që ai ka zgjedhur të jetë i shoqëruar në lëvizjet e tij, qoftë edhe në orët e vona të natës.

Me mendimin se armiqtë e tij, do e mbanin dorën nëse do kishin informacion se ai lëvizte me persona që nuk ishin objektiv të shënjestrës së tyre, por duke iu kthyer mbrëmjes së fundit, para konsumimit të krimit, Ergis Shahini, dha për hetuesit informacione interesante për dinamikën e lëvizjes dhe njerëzit që ai dhe Fatjon Dervishi, takuan atë atë mbrëmje në Tiranë.

“Siç ju shpjegova, pasi u takova me Tonin, në lokalin në Maminas, ne u nisëm drejt Tiranës. Kemi ardhur nga autostrada, tek Zogu i Zi dhe më pas kemi udhëtuar për në qendër, e më tej kemi shkuar në një lokal tek liqeni, emrin i të cilit nuk më kujtohet.”, ka deklaruar Ergis Shahini.

Pasi janë ulur në restorant, Ergis Shahini, kujton se në të njëjtën tavolinë me të dhe Tonin, pa kaluar disa minuta, janë bashkuar edhe katër persona të tjerë të cilët ai rezulton se i njeh. Takim  midis tyre që mesa duket nuk ka qenë i rastësishëm, ku sipas tij, darka ishte organizuar nga një mik i tyre i përbashkët me profesion këngëtar, i cili atë natë kishte ditëlindjen.

“Atë natë tek lokali kanë ardhur dhe katër persona të tjerë, që janë shokët tanë. Ata janë Thoma Mehmetllanaj, nga Vlora, njëri ishte Endri Egra, që e thërrasim Dulla, me profesion këngëtar, si dhe dy persona të tjerë të cilët i njoh si fytyrë pasi i kam takuar me Dullën. Ne kemi shkuar për darkë pasi Thomasi na ka thënë në telefon se Dulla ka ditëlindjen dhe na ka ftuar. Ajo që di është se Thomasi ka ardhur me makinën e vetë një Mercedes Benz GT, ngjyrë të zezë. Pasi kemi ngrënë darkë, ku kemi bërë biseda të zakonshme, rreth orës 22.00, jemi përshëndetur dhe unë së bashku me Toni Dervishin jemi nisur për në shtëpi në Katund Sukth, ndërsa personat e tjerë u larguan për në drejtimet e tyre.”, ka deklaruar Ergis Shahini.

Sipas Ergis Shahinit, ai dhe Toni në drejtimin e makinës, në kthim ndoqën të njëjtin itinerar, sikurse edhe në mbërritje, ku gjatë rrugës kanë bërë një tjetër ndalesë të shkurtër, por pa specifikuar nëse në këtë ndalesë, takuan të tjerë persona.

“Kur u kthyem ne ndoqëm të njëjtën rrugë sikundër edhe erdhëm. Ne fillimisht kaluam në qendër të Tiranës, më tej në autostradë dhe më pas në daljen e Maminasit ku ndaluam sërish në një lokal në zonë. Në këtë lokal ne qëndruam 5 minuta, sa pimë një kafe, e më pas u nisëm me makinën e Tonit për në shtëpi, në Katund Sukth.”, thuhet në deklaratën e Ergis Shahinit.

Interesant në rrëfimin e Ergis Shahinit, është fakti që ai tregon për grupin hetues, se pasi u larguan nga Maminasi në drejtim të fshatit Katund Sukth, ata nuk morën rrugën e autostradës, por ndoqën një rrugë mes fshatrave të Shijakut

Ndërsa rezulton se informacioni i organizatorëve të pritës, të ketë qenë i saktë deri në përpikmëri, si për itinerarin që po ndjek makina e drejtuar nga Toni Dervishi, kohën e kthimit, por edhe për devijime të ndryshme që ai mund të kryente gjatë rrugës.

“Nga Maminasi nuk jemi futur në autostradë por kemi bërë rrugën e vjetër dytësore duke kaluar në fshatin Koxhas, Fermë Sukth dhe nga rruga e Sallmonës më pas kemi marrë atë për në Katund Sukth. Duke ecur në rrugë pa arritur tek shinat e linjës hekurudhore, në lagjen ‘Barametaj’, Toni uli shpejtësinë e makinës pasi rruga ishte me gropa, por sapo uli shpejtësinë unë dëgjova një breshëri armë zjarri të tipit automatik e cila vinte nga krahu i shoferit dhe goditi makinën ku ishin ne. Në këtë moment, Ergis Shahini, i tmerruar nga ajo që pa, të vetmen gjë që thotë se ka menduar, është të shpëtojë veten, ndërkohë që makina pasi ishte goditur nga plumbat, po kryente lëvizje të pakontrolluara. Për shkak se Toni ishte i plagosur rëndë dhe i pavetëdijshëm në timon.

“Unë pashë Tonin që u plagos dhe e lëshoi veten. Nga krahu ku ai ishte unë kapa timonin e makinës dhe e mbajta për disa metra në mënyrë që makina të mos binte në kanal, pasi makina eci diku te 15 metra, u ndal. Në këtë moment unë dola nga makina, dhe pasi pashë që nuk kisha dëmtime nga breshëria e armës së zjarrit, fillova të bërtas duke kërkuar ndihmë, por nuk mu afrua njeri.”, thuhet në deklaratën e Ergis Shahini.

Ergis Shahini e mbylli rrëfimin e tij për grupin hetues duke thënë se nuk i njihte personat që i zunë pritë makinës me të cilën ata udhëtonin, madje ai as nuk pati kohë dhe mundësi ti shquajë në atë errësirë. Ndërkohë që miku i tij kishte humbur shumë gjak dhe koha po punonte kundër tij, ashtu sikurse ndodhi, kur nuk ia doli të shpëtonte i gjallë nga ky atentat.

“Menjeherë pas atentatit, kaluan disa automjete por dhe ata nuk ndaluan, ku pas tyre erdhi një makinë Mercedez Benz dhe ndaloi. Ishte një djalë i ri dhe i thashë të më ndihmonte, në këtë momenti erdhi edhe furgoni i policisë. Së bashku me djalin që ndaloi me makinë dhe punonjësit e policisë, e morëm Toni Dervishin dhe pasi e futëm në makinë u nisëm për në Spitalin e Durrësit, por edhe pse e dërguam në spital dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve Toni ndërroi jetë nga plumbat e marrë. “, thuhet në deklaratën e Ergis Shahinit.

Në lidhje me këtë ngjarje në pyetje u morën edhe dy miqtë e viktimës, të cilët atë mbrëmje e kishin ftuar për të festuar ditëlindjen e njërit prej tyre. Por ashtu siç pritej, ata nuk dhanë ndonjë dëshmi me interes për grupin hetimor, përveç rrethanave se si ishin takuar, ndërsa lajmin për vrasjen e mësuan nga televizori.

“Endri Egra i njohur si ‘Dulla’ dhe Thoma Mehmetllanaj, dy personat që kanë qenë në darkë me Toni Dervishin, thanë në deklarimet e tyre pasi ata u ndanë atë mbrëmje, se Toni Dervishi u nis për në Durrës me Ergis Shahinin, ndërsa ata vijuan për në shtëpitë e tyre. Lajmin për vrasjen e Dervishit, deklaruan se e mësuan nga televizori dhe nuk ishin në dijeni të problemeve të tij. Edhe pse Policia ngriti pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve të krimit, edhe këtë herë ata u zhdukën bashkë me errësirën e natës, madje ndryshe nga shumë raste të ngjashme, as nuk e panë të arsyeshme që të djegin automjetin me të cilin kryen krimin.”, thuhet në dosjen hetimore.

Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të FNSH-së Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës. Paralelisht me ngritjen e postblloqeve, grupi hetues sekuestroi edhe kamerat e sigurisë në zonë, por edhe më tej. Kjo me qëllim evidentimin e lëvizjeve të personave apo automjeteve të dyshimta, që mund të kishin lidhje me ngjarjen, apo që ishin vënë në ndjekje të makinës së drejtuar nga Toni Dervishi.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26 Shtator 2023, ku rreth orës 23.45, mbeti  i vrarë shtetasi Toni Dervishi, me qëllim hetimin e plotë të ngjarjes, u sekuestruan njëkohësisht kamerat e sigurisë me pamje nga aksi rrugor Maminas-Shijak-Sukth-Sallmonë. Aksi që viktima ka ndjekur, ku janë ushtruar po kështu kontrolle banesash, kqyrur celularë, si dhe është bashkëpunuar me ZQK Interpol Tiranën, për të identifikuar lidhje shoqërore të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës automjeti që drejtonte Toni Dervishi (Margen) si dhe 2 celularë të tij.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ndërsa grupi hetues u kujdes që të gjente elementë kompromentues, gjatë kqyrjes së pamjeve filmike në zonën e krimit, por edhe përreth, sasia e predhave të plumbave që u gjetën në vendin e krimit, të lëshuara ndaj makinës së Toni Dervishit, nuk tregoi asgjë tjetër, përveçse ashpërsisë me të cilën qitësit kërkonin apo ishin urdhëruar të eleminonin me çdo kusht atë. Por edhe faktin që në të gjithë atë mizëri plumbash, ata u kujdesën që të qëllonin vetëm ndaj objektivit të tyre, pa lënduar pasagjerin që gjendej në krah të tij.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 26 Shtator 2023, rreth orës 23.30, në vendin e quajtur Lagjja e ‘Barametë-ve’ në Sallmonë, ku mbeti i vrarë shtetasi Toni Dervishi, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, fillimisht u fiksua automjeti Audi, ngjyrë e zezë. Ky automjet rezulton i dëmtuar në anën e jashtme me vrima të shkaktuara nga predhat e armëve të zjarrit me drejtim nga jashtë-brenda, kryesisht në derën e shoferit ku ka qenë i ulur viktima Toni Dervishi, ku në brendësi të mjetit gjendet një bërthamë predhë armë zjarri. Jashtë mjetit në formë të çrregullt gjenden në tokë 55 copë gëzhoja armë zjarri model 56 kalibër 7.62 mm.”, thuhet në dosjen hetimore.

Pavarësisht profilit të ulët në dukje që ekspozonte viktima, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer në Shqipëri, gjetjet e grupit hetues folën për të kundërtën e jetës së tij të qetë dhe pa telashe. Sipas informacioneve të mbërritura nga partnerët holandezë, Toni Dervishi, ishte skeduar në këtë shtet, si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, por nuk dihet në çfarë nivelesh ai kishte qenë pjesëmarrës dhe si kishte mundur tia hidhte drejtësisë në këtë vend.