Deputetët Sajmir Korreshi, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj janë përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi dhe komisionet parlamentare për ngjarjet e seancës parlamentare të 9 nëntorit.
Kërkesa për masat disiplinore u bë nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Në kërkesën e drejtuar kryetares së Parlamentit, socialistët i bëjnë përgjegjës 3 deputetët për pengimin e zhvillimit të një seancë normale parlamentare.
Në fund Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën caktoi masë disipinore përjashtimin e tyre nga Kuvendi.
Vendimi vjen pas seancës plenare të së enjtes.
“Seanca e përsëritur në çdo fillim seance plenare nga deputetë të opozitës duke penguar zhvillimin e rregull të saj është e pa tolerueshme. Kaosi i krijuar nga deputetë të caktuar të opozitës në seancën plenare të datës 09.11.2023 duke larguar nga vendet karriget dhe duke vendosur ato si barrikadë përpara foltores dhe duke e bllokuar atë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet midis të tjerash në kërkesë.
Deputeti Korreshi ndezi i pari tymueses në seancën e Parlamentit të së enjtes, duke bërë që e gjithë salla të mbushet me tym. Në kërkesën për masë disiplinore që mazhoranca i ka dërguar Kuvendit për të marrë ndaj deputetit, thuhet se ai i mori tymueses nga deputete të tjera të opozitës, përkatësisht Elda Hoti dhe Lindi Metaliaj
“Situata në sallën plenare u përkeqësua akoma më shumë kur deputeti Saimir Korreshi u pa të merrte disa tymuese nga çantat e dy zonjave deputete Elda Hoti dhe Lindi Metaliaj duke i ndezur ato dhe duke e bërë të pamundur dhe të vështirë zhvillimin normal të rendit të ditës dhe diskutimet e deputetëve të regjistruar”, thuhet në kërkesë.