Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, ka shkaktuar përplasje edhe brenda Partisë Socialiste Europiane, pjesë e të cilës është edhe Partia Socialiste Shqiptare.

Sipas “La Repubblica”, në Kongresin e socialistëve evropianë në Malaga, kancelari gjerman, Olaf Scholz është shprehur se marrëveshja është para së gjithash një çështje midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.

Përgjigja e tij është shumë e ndryshme nga ajo e Schlein, që e ka cilësuar marrëveshjen “shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kushtetutës”, si dhe Provenzanos, që foli për një “shkelje të vlerave socialiste” nga Rama.

Sipas mediave të huaja, Scholz përdor tone të buta, nuk dëshiron të vërë në siklet Melonin dhe nuk do të distancohet as nga Rama, as nga marrëveshja.

Presidenti i sapo rizgjedhur i Partisë Socialiste Evropiane, ish-kryeministri suedez Stefan Löfven stigmatizoi marrëveshjen midis Italisë dhe Shqipërisë, duke shpjeguar se nuk është zgjidhje për politikat e migracionit.

“Migracioni duhet të menaxhohet duke përdorur një kornizë progresive. Ne duhet të promovojmë shtigje gjithëpërfshirëse, duhet të gjejmë mënyra për ta bërë atë një fitore për shoqëritë tona dhe për emigrantët, ky është modeli që propozojnë socialistët, jo si qeveria e ekstremit të djathtë në Itali, e cila dëshiron t’i transferojë kërkesat për azil Shqipërisë. Nuk është një model progresiv,” ka deklaruar ai.