Një emigrant i paligjshëm është gjendur pa shenja jete në fshatin Trestenik të Devollit në kufi me Greqinë. Sipas informacioneve mësohet se emigranti është i kombësisë siriane dhe trupi i tij është gjetur nga policia dhe Frontex.
Sipas të dhënave paraprake në trupin e sirianit nuk janë gjetur shenja dhune, dyshohet se ka ndërruar jetë nga i ftohti. Nga policia po kryhen të gjitha veprimet procedurale për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarje.
Kujtojmë që në juglindje janë të shumta shtigjet e përdorura nga emigrantët e paligjshëm, një ndër to edhe fshati Trestenik në Devoll.
Ulja e temperaturave nuk e ka frenuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga Lindja e Mesme dhe që nëpërmjet Shqipërisë synojnë vendet e BE.





