Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Strasburgut në lidhje me vrasjen e Aleks Nikës, i cili humbi jetën në protestën e 21 janarit.
Kjo gjykatë ka dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e krimit.
Po ashtu në vendimin e argumentuar të Strasburgut thuhet se ka pasur shkelje të detyrimit procedural dhe të pjesës thelbësore të nenit 2 të Konventës, shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës.
Gjykata e të Drejtave të Njeriut sqaron se autoritetet kanë dështuar që të kryejnë një hetim efektiv dhe se gjatë protestës politike sipas saj, u përdor në mënyrë të pajustifikuar forca vdekjeprurëse.
Mes të tjerash Gjykata nënvizon dhe faktin se teksa ka pasur mangësi specifike në hetimin e rastit në fjalë, bëhet thirrje që të identifikohen dhe ndëshkohen ata që janë përgjegjës për krimin.

Po ashtu Strasburgu thekson se ka pasur dhe defekte në ushtrimin e detyrës nga ana e policisë për mbarëvajtjen dhe kontrollin e protestës.
Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Pas kalvarit të gjatë gjyqësor, familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.






