Pandemia Covid-19 ndryshoi tërësisht përditshmërinë tonë, por nga ana tjetër shtoi në maksimum rëndësinë e komunikimit virtual mes njerëzve. Në kushtet, kur askush nuk mund të japë një përgjigje të saktë lidhur me përfundimin e pandemisë dhe heqjen e masave shtrënguese, përmirësimi i metodologjive pedagogjike për mësimin online mbetet prioritet i universiteteve.

Të nxënit virtual ka vështirësitë e tija, si çdo proces që është ende në implementim e sipër. Për këtë arsye mbetet primare kualifikimi i stafit akademik në Institucionet e Arsimit të Lartë Shqiptar. Së fundmi, dy fakultetet e UAMD-së, Fakulteti i Edukimit dhe Teknologjisë së Informacionit janë bërë pjesë e projektit VALEU-X (Shkëmbimi Virtual  i Universiteteve Shqiptare dhe Evropiane).

Projekti VALEU-X ka 3 qëllime kryesore:

1. Kualifikimi i stafit akademik në Institucionet e Arsimit të Lartë Shqiptar (IAL) në metodologjitë moderne pedagogjike dhe didaktike rreth mësimdhënies dhe të nxënit virtual.

2. Mbështetja e IAL-ve shqiptare në përshtatjen dhe zbatimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në mësimdhënie dhe integrimi i IAL-ve shqiptare në një rrjet global për “Mobilitetin Virtual”.

3. Kualifikimi i stafit administrativ në IAL-të shqiptare për t’u përshtatur me Mobilitetin Virtual/Blended,  si pjesë e strategjisë institucionale të ndërkombëtarizimit.

VALEU-X propozon një ndërthurje të mësimdhënies në auditor me mësimdhenien virtuale (VLC), si një element i Mobilitetit Virtual, duke përfshirë perspektivat ndërkombëtare në programet e studimit, në një qasje holistike të ndërkombëtarizimit të institucioneve shqiptare.

UAMD është bërë pjesë e këtij projekti shkëmbimi virtual së bashku me IAL-le të tjera në Evropë dhe Shqipëri dhe rezultatet pritet të jenë të prekshme shumë shpejt. Gjatë zbatimit të projektit do të realizohet kualifikimi i personelit akademik dhe administrativ, do të mbahen kurse të të nxënit virtual si dhe do të shkëmbehen virtualisht eksperiencat e mësimdhënies jo vetëm mes universiteteve shqiptare, por edhe atyre evropiane.

Më poshtë po publikojmë edhe listën e partnerëve të projektit VALUE-X:

  • Technische Universität Dresden (TUD)
  • International School for Social and Business Sciences, (ISSBS)
  • Unione Delle Universita Del Mediterraneo (UNIMED)
  • Universiteti Europian iTiranës (UET)
  • Turgut Ozal Education SH. A – Epoka University (EPOKA)
  • Universiteti Fan S Noli Korcë (UNIKO)
  • Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD)
  • Universiteti Luigj Gurakuqi Shkodër (UNISHK)
  • Universiteti Aleksandër Xhuvani Elbasan (UEAXH)