Familjet e pengjeve së bashku me mijëra mbështetës intensifikojnë presionin ndaj qeverisë për lirimin e tyre – Marshi filloi 3 ditë më parë dhe pjesëmarrësit përshkojnë një distancë prej 60 kilometrash.
Familjet e pengjeve izraelitë dhe mijëra mbështetës të tyre marshuan sot në Jerusalem, duke rritur presionin ndaj qeverisë për të siguruar lirimin e tyre gati gjashtë javë pasi u rrëmbyen nga Hamasi dhe u dërguan në Gaza.
Marshimi filloi nga Tel Avivi tre ditë më parë. Policia bllokoi pjesë të autostradës kryesore ndërsa protestuesit filluan të ngjiten në kodrat që të çojnë në Jerusalem.
Ata mbanin foto të të dashurve të tyre si dhe flamuj izraelitë, ndërsa brohoritnin slogane si “Nuk do të dorëzohemi, kërkojmë lirimin e pengjeve”.
Hamasi mori peng rreth 240 persona gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit. Pengët – nga foshnjat tek të moshuarit – besohet se mbahen në tunele nën Rripin e Gazës.
Mediat izraelite dhe arabe kanë raportuar negociata për të siguruar lirimin e të paktën disa prej pengjeve, por nuk ka pasur asnjë konfirmim nga asnjëra palë për një marrëveshje të afërt.
“Dëgjo britmën tonë. Kthejini tani”, tha Yuval Haran, i cili po ecte me një pankartë që tregonte shtatë anëtarë të familjes së tij që u rrëmbyen, përfshirë mbesën e tij trevjeçare.
“Si mund të vendosësh një çmim për një vajzë trevjeçare? Ne kemi nevojë për ta rikthyer tani, me çdo kusht”.
Ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert, u takua me protestuesit dhe kërkoi lirimin pa kushte të pengjeve.
“Ne po punojmë për këtë në të gjitha nivelet politike dhe diplomatike dhe thjesht po ju kërkojmë që të mbani gjallë shpresën”, tha ai. “Në zemrat dhe mendjet tona, ne jemi me ju.”
Familjet dhe mbështetësit e tyre thonë se ata do të përfundojnë marshimin rreth 60 km nesër, të shtunën, përpara rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem.